Trendy

Në Ohër, në vend të marinës për vendosjen e mjeteve lundruese, projekt që premtohet disa dekada

Para 6 orë

Në Ohër, në vend të marinës për vendosjen e mjeteve lundruese, projekt që premtohet disa dekada, do të realizohet vetëm rikonstruksioni dhe zgjerimi i dy porteve ekzistuese. Porti i vogël do të dedikohet për mjete më të vogla lundruese, ndërsa në portin e qytetit do të parkohen mjete më të mëdha.

“Ky port duhet të jetë port që do të shërbejë për mjete më të mëdha lundruese, me kapacitet shumë më të madh se ky aktual. Kjo do të nënkuptojë ndërtimin e një krahu shtesë, zgjatjen e portit ekzistues, sigurimin e të gjitha kushteve të nevojshme si energjia elektrike për furnizimin e anijeve, mënyrë ekologjike për furnizimin me karburant dhe jo siç bëhet tani”, deklaroi Aleksandar Nikolloski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Ndërkohë, numri i mjeteve lundruese po rritet çdo vit, ndërsa lokacioni aktual për parkimin e tyre Kanali i Studençishtit është shumë i ngushtë dhe nuk i plotëson kushtet infrastrukturore. Aktualisht, ai është i vetmi vend për këtë qëllim në Ohër, ndaj gjatë verës krijohet kaos i vërtetë.

“Në kanal tani do të fillojnë të parkohen shumë mjete lundruese, kështu që nuk do të jetë e mundur të lëvizet. Deri tani kemi qenë të detyruar të transportojmë karburantin me bidonë dhe ta furnizojmë në mënyrë manuale”, tha Zoran Angjelloski – pronar i anijes.

“Në regjistrin detar ka 3.450 mjete lundruese. Por ky numër ndryshon, sepse vazhdimisht regjistrohen të reja. Këto janë mjete në nivel të gjithë Maqedonisë. Një pjesë janë në Greqi, një pjesë në liqenin e Dojranit dhe të Prespës, si dhe në Matkë. Disa prej tyre janë jashtë përdorimit”, theksoi Ilija Arnaudovski, Kapiten i Porteve, Ohër.
Këtë verë pritet të vihet në përdorim edhe një anije më e madhe, ndërsa dy të tjera janë në ndërtim. Infrastruktura e papërshtatshme vazhdon të shkaktojë probleme serioze. Vitin e kaluar u përfshi nga zjarri një motoskaf i parkuar në kanal, duke dëmtuar edhe dy të tjerë pranë tij. Disa vite më parë, një tjetër motoskaf u dogj gjatë riparimit, ndërsa në një rast tjetër një furnizim i gabuar me karburant shkaktoi zjarr./Alsat.mk.

Trending