Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, deklaroi se nuk dëshiron të merret me spekulime rreth të ardhmes së tij politike, në kohën kur në opinion po flitet për një rikonstruim të mundshëm të qeverisë gjatë muajve maj dhe qershor.
I pyetur nëse do të vazhdojë të mbajë postin e ministrit në kuadër të ndryshimeve të paralajmëruara, Aliu u shpreh se pozitat politike janë të natyrës së tillë dhe nuk ia vlen të harxhohet energji për të parashikuar zhvillimet e ardhshme.
“Kështu që pozitat politike gjithmonë janë politike, për atë quhen kështu. Aspak nuk dua të harxhoj energji dhe kohë për të menduar se çfarë do të ndodhë nesër”, tha Aliu.
Ai theksoi se fokusi i tij mbetet tek puna dhe reformat në institucionin që drejton, duke shtuar se energjia duhet të përqendrohet në proceset që janë nën kontroll të drejtpërdrejtë.
“Të gjithë proceset që nuk varen direkt nga njeriu, nuk duhet të harxhohet energji, pra energjia jonë duhet të harxhohet për ndryshimin apo implementimin e ndryshimeve në institucionin ku menaxhon”, shtoi ministri.










