Analisti Baton Haxhiu, në emisionin “Të paekspozuarit” në MCN TV, duke iu drejtuar Mevlan Ademit, organizatorit të protestës së sotme studentore në Shkup për përdorimin e gjuhës shqipe në dhënien e provimeve të Juridikut, shprehu keqardhjen që brezi i sotëm duhet të përballet me këto probleme që duheshin zgjidhur nga klasa politike shqiptare para shumë vitesh.
“Më vjen keq si gjeneratë që të ka rënë mbi supe të protestosh për një gjë elementare, por është faji i gjeneratave politike që nuk e kanë rregulluar të qenurit shqiptar në Kushtetutë. Duhet ta filloni jetën si në 1991 dhe më vjen keq që Mickovski me nacionalizmin e tij pragmatik e ka fragmentarizuar politikën shqiptare realisht fajin për këtë e kanë partitë shqiptare, dy shtetet Shqipëria dhe Kosova nuk bëjnë atë që shtetet përrreth bëjnë për grupet e tyre etnike.
Ali Ahmeti e ka projektuar idenë e fuqisë me armë, por i ka patur të gjitha mundësitë që t’i bëjë me ligj. Ato ligje për gjuhën janë për grupe deri në 20 për qind dhe është turp që të përcaktohet për shqiptarët që janë mbi 25 për qind.
Politika e jashtme e Shqipërisë ka qenë e dobët për grupet etnike sepse ka qenë pragmatike për rrugën evropiane dhe ju ta mbartni barrën kryesore në kërkimin e të drejtave dhe ju kanë fragmentuar. Kosova e ka bërë më të keqe.










