Trendy

Mexhiti: Fjala e dhënë po përmbushet!

Para 5 orë

Mexhiti: Fjala e dhënë po përmbushet, i japim fund epokës së zgjidhjeve gjysmake.

Sot me miratimin nga qeveria të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, po i japim fund një epoke të zgjidhjeve gjysmake, kulturës së improvizimeve dhe mekanizmave që për vite me radhë krijonin padrejtësi, paqartësi, pasiguri dhe dëm për shqiptarët.

Ky ka qenë reagimi i njërit nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti pasi Qeveria sot i dha dritë jeshile Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

“Për një kohë të gjatë, në vend të sistemit, kishim mjete të përkohshme. Në vend të drejtësisë, kishim selektivitet. Në vend të besimit, kishim zhgënjim. Pikërisht për këtë arsye e ndërmorëm këtë proces- jo për të ruajtur status quo-në, por për ta ndryshuar atë”, thotë Mexhiti.

Me këtë ligj, sipas tij, vendoset një kornizë e qartë ligjore, vendosen mekanizma kontrolli dhe përgjegjësie dhe më në fund, “përfaqësimi i drejtë pushon së qenuri pazar politik dhe bëhet detyrim ligjor”.

“Ky nuk është hap pas. Ky është hap përpara. Po i mbyllim dobësitë e së kaluarës dhe po ndërtojmë një sistem që do të jetë i drejtë, transparent dhe i qëndrueshëm. Një sistem në të cilin e drejta nuk varet nga vullneti, por nga ligji. Një sistem në të cilin çdo qytetar ka shanse të barabarta dhe çdo komunitet ka vend të denjë dhe të barabartë”, thekson tutje Mexhiti.

Për shqiptarët, shton ai, kjo do të thotë fund i politikave që krijonin iluzion të përfaqësimit, ndërsa në thelb linin boshllëqe.

“Për shtetin, kjo do të thotë institucione më të forta. Ne nuk premtojmë zgjidhje të lehta. Ne sjellim zgjidhje të qëndrueshme. Ky është dallimi. Kjo është përgjegjësia. Ky është VLEN”, përfundon Mexhiti postimin e tij në rrjetet sociale.

Trending