Trendy

Kampioni i mundjes Besir Alili reagon për anashkalimin nga ngjarja e sportistëve më të mirë

Para 15 minuta

Mundësi Besir Alili ka reaguar publikisht, duke shprehur zhgënjimin e tij për, siç thotë, një padrejtësi të qartë dhe të pajustifikueshme ndaj tij, pavarësisht rezultateve të arritura në arenën ndërkombëtare.

Alili thekson se që nga viti 2025 është i renditur i pesti në Evropë në mundje, duke përfaqësuar me krenari qytetin dhe shtetin e tij dhe duke sjellë rezultate konkrete në nivel evropian. Sipas tij, këto arritje janë fryt i punës së madhe, sakrificës dhe garimit edhe në kushte të vështira, madje edhe me lëndime.

Megjithatë, ai shprehet se, pavarësisht këtyre fakteve, nuk është marrë parasysh as për një ftesë në një event që, sipas tij, duhet t’i vlerësojë sportistët më të mirë.

“Kjo më nuk është çështje harrese, por neglizhencë, mungesë respekti dhe sinjal se kriteret nuk bazohen në meritë”, ka theksuar Alili në reagimin e tij.

Ai kërkon përgjigje nga institucionet për mënyrën se si bëhen përzgjedhjet, duke pyetur se si është e mundur që një sportist me rezultate të tilla të injorohet plotësisht.

Sipas Alilit, kur rezultatet konkrete anashkalohen dhe merita nuk vlerësohet, nuk dëmtohet vetëm individi, por vetë sporti. Ai nënvizon se nuk kërkon favore apo privilegje, por vetëm drejtësi dhe respekt për punën e tij.

“Rezultatet e mia flasin. Pyetja është nëse doni t’i dëgjoni”, shprehet ai. /VOXAL/

Trending