Trendy

Nga Çegrani në misionin hënor: Albon Rexhepi pjesë kyçe e Artemis II të NASA-s

Para 2 javë

Një histori që duket si film, por është plotësisht reale. Albon Rexhepi, 34-vjeçari nga Çegrani i Gostivarit, është bërë pjesë e një prej projekteve më ambicioze të njerëzimit – programit hapësinor Artemis, duke kontribuar drejtpërdrejt në bashkëpunim me NASA-n, përcjell tetova1

I lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i rritur në Maqedoninë e Veriut, Rexhepi hodhi themelet e dijes në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL). Rrugëtimi i tij profesional vazhdoi me hapa të sigurt drejt majave të teknologjisë globale, duke e pozicionuar sot në mesin e figurave të rëndësishme në këtë fushë. Aktualisht, ai mban postin e presidentit të kompanisë Dewetron Inc., e cila luan rol kyç në testimet kritike për misionet hapësinore.

Nga përvoja në kompani të mëdha ndërkombëtare si Pfizer dhe Legrand, deri te drejtimi i një kompanie që kontribuon në misionin Artemis II, rruga e tij është dëshmi se suksesi nuk njeh kufij.

Teknologjia që teston të ardhmen

Produktet e Dewetron përdoren në testimet e kapsulës Orion, duke ofruar sisteme ultra të avancuara që matin çdo detaj gjatë zhvillimit dhe testimit – në një sektor ku gabimet nuk lejohen.

Misioni që sfidon skepticizmin

Në një kohë kur ende ekzistojnë dyshime për udhëtimet në Hënë, Rexhepi është i qartë: teknologjia moderne dhe transparenca e proceseve e bëjnë të pamundur çdo manipulim.

“Ky është një mision global, me përfshirje të shumë shteteve dhe kompanive,” thekson ai.

Duke folur për suksesin në SHBA, Rexhepi shton: “Në Amerikë, nëse ke aftësi dhe punon fort, mund të arrish shumë.”/tetova1.mk

VIDEO

Trending