Irani ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga marrëveshja e armëpushimit nëse Izraeli vazhdon sulmet ndaj Libanit, sipas raportimeve të mediave shtetërore iraniane.
Agjencia e lajmeve Tasnim, duke cituar një burim të paidentifikuar, raporton se ndalimi i luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, përbën pjesë të marrëveshjes dyjavore të armëpushimit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. I njëjti burim tha se forcat e armatosura iraniane kanë nisur identifikimin e objektivave për t’iu përgjigjur sulmeve të fundit izraelite në territorin libanez.
Një raport i veçantë i transmetuar nga televizioni shtetëror iranian përcjell një qëndrim të ngjashëm, duke cituar burime sipas të cilave Irani synon të kundërpërgjigjet ndaj sulmeve kundër Hezbollahut, të cilat i konsideron shkelje të armëpushimit.
Gjithashtu raportohet se Irani ka mbyllur përsëri Ngushticën e Hormuzit, duke bllokuar kalimin e anijeve cisternë të naftës në këtë rrugë ujore, në shenjë hakmarrjeje për sulmet izraelite ndaj Hezbollahut.
Cisternat e naftës që përpiqeshin të kalonin nëpër ngushticë morën mesazhe kërcënuese nga Marina Iraniane, sipas disa burimeve të transportit detar.
“Çdo anije që përpiqet të udhëtojë në det… do të shënjestrohet dhe do të shkatërrohet…” thuhej në mesazhin, i cili u mor nga disa anije.
Nga ana tjetër, Izraeli deklaron se marrëveshja nuk përfshin operacionet e tij kundër Hezbollahut në Liban. Ndërkohë, Irani dhe Pakistani mbajnë qëndrimin se armëpushimi duhet të zbatohet në të gjitha frontet.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, dhjetëra persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore izraelite. Autoritetet izraelite thonë se kanë ndërmarrë një nga valët më intensive të goditjeve ndaj objektivave të dyshuara të Hezbollahut që nga rifillimi i konfliktit muajin e kaluar.
Raportimet tregojnë se mbi 100 objektiva janë goditur brenda rreth 10 minutash, përfshirë edhe kryeqytetin Bejrut, ku janë regjistruar shpërthime të njëpasnjëshme.
Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, e cilësoi operacionin si goditjen më të përqendruar ndaj Hezbollahut në periudhën e fundit. Ai paralajmëroi gjithashtu drejtuesin e grupit, Naim Kassem, se do të përballet me pasoja, duke shtuar se Hezbollahu do të paguajë një kosto të lartë për veprimet e tij kundër Izraelit.










