Kthimi dhe ulja e misionit hënor “Artemis II” në Oqeanin Paqësor pranë brigjeve të San Diegos është në qendër të vëmendjes. Kthimi në tokë është më i rrezikshëm se sa që ishte nisja. Anija kozmike Orion do të rikthehet me shpejtësi të jashtëzakonshme, duke goditur atmosferën me 38,367 kilometra në orë.
“Ne duhet ta godasim me saktësi këndin e trajektores së fluturimit. Kemi më pak se një gradë kënd që duhet të arrijmë. Dhe kur të hyjmë, duhet të jemi pikërisht në qendër të tij. Natyrisht, kemi pak hapësirë tolerimi, por nuk planifikojmë ta përdorim atë. Sistemi ynë i drejtimit po funksionon shumë mirë tani. Të gjitha llogaritjet e trajektores tregojnë se mjeti është pothuajse në rrugën më të mirë të mundshme. Duhet ta godasim saktë atë kënd, përndryshe nuk do të kemi një hyrje të suksesshme”, deklaroi Xhef Radigan, Drejtor kryesor i fluturimit të Artemis II.
Në vend që ta zëvendësonte mburojën termike të Artemis II, gjë që do të shkaktonte një vonesë të gjatë, NASA modifikoi trajektoren e zbritjes së kapsulës në atmosferë për të reduktuar ekspozimin ndaj nxehtësisë ekstreme. Misioni Artemis III dhe ata pas tij do të përdorin mburoja termike të ridizajnuara. Artemis III do të shohë astronautët të praktikojnë lidhjen e kapsulës së tyre me një ose dy module uljeje në orbitë rreth Tokës. Artemis IV në vitin 2028 do të përpiqet të ulë dy astronautë pranë polit jugor të Hënës, duke vendosur atë që NASA shpreson të jetë një bazë e qëndrueshme hënore./Alsat.mk.










