Trendy

Pas Imamoglu, Erdogan “shënjestron” edhe kryebashkiakun e Ankarasë; nisin hetime të reja

Para 4 orë

Autoritetet turke kanë autorizuar një hetim të ri ndaj kryebashkiakut të Ankarasë, Mansur Yavaş, një nga figurat kryesore të opozitës, duke shtuar tensionet politike në vend. Zhvillimi vjen pasi më herët në fokus të hetimeve ka qenë edhe kryebashkiaku i Stambollit, në një klimë që opozita e interpreton si presion të shtuar nga qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdoğan.

Ministria e Brendshme dha lejen për nisjen e hetimit pas akuzave se gjashtë automjete të Bashkisë Metropolitane të Ankarasë janë përdorur në një tubim elektoral gjatë fushatës së vitit 2023 në Karabuk. Sipas pretendimeve, përdorimi i këtyre mjeteve ka shkaktuar dëm ekonomik për shtetin.

Në të njëjtën çështje është përfshirë edhe drejtuesi i Departamentit të Punëve Publike, Aziz Murat Seyrek, për të cilin është dhënë më herët autorizim për hetim.

Bashkia e Ankarasë i ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se nuk ekzistojnë prova që tregojnë se kryebashkiaku Yavaş ka dhënë urdhra për përdorimin e automjeteve. Sipas saj, përgjegjësitë po ngarkohen mbi bazën e supozimeve dhe jo të fakteve të dokumentuara.

Vetë Yavaş pritet të dalë në një konferencë për shtyp për të sqaruar qëndrimin e tij, ndërsa ka të drejtë të apelojë vendimin në Këshillin e Shtetit brenda 15 ditëve.

Aktualisht, ndaj kryebashkiakut të Ankarasë janë aktive dy çështje në Këshillin e Shtetit, ndërsa të tjera janë mbyllur. Ato lidhen me një aktivitet koncertor dhe me kundërshtimin e bashkisë ndaj praktikave urbanistike të administratës së mëparshme.

Trending