Trendy

Stojançe e rrahu Ivanën para Gjykatës Penale, dy orë para vdekjes së saj; policia erdhi dhe u largua

Para 2 muaj

Prokuroria paraqiti para gjykatës regjistrime të realizuara pranë kompleksit gjyqësor në Shkup, të cilat, dëshmojnë sulm fizik ndaj të dëmtuarës, Ivana Jovanovskës. Në video, siç u theksua, i pandehuri e godet bashkëshorten e tij në dy raste, ndërsa në një moment shihet se koka e saj lëviz nga forca e goditjes.

Sipas aktakuzës, incidenti ka ndodhur gjatë ditës, në një vend publik, pranë garazheve të kompleksit gjyqësor. Regjistrimet tregojnë gjithashtu mbërritjen e zyrtarëve policorë, të cilët kanë ndërhyrë pas një raportimi të mëparshëm.

Siç u bë e ditur në sallën e gjyqit, policët kanë biseduar me të dy bashkëshortët, pas së cilës janë larguar nga vendi i ngjarjes. Prokuroria theksoi se, pavarësisht shqetësimit të dukshëm të së dëmtuarës, nuk janë ndërmarrë masa shtesë.

Gjatë procedurës u tha gjithashtu se gruas i ishte komunikuar se, në rast të një kallëzimi të përsëritur, ajo mund të përballej me akuzë për kallëzim të rremë, çka ka ngritur pikëpyetje mbi veprimet e institucioneve kompetente.

Regjistrimet e paraqitura në gjykatë janë realizuar disa orë para ngjarjes tragjike, kur, sipas akuzave të raportuara më herët, gruaja ra nga një ballkon së bashku me fëmijën e saj. Ndërkohë gjyqi vazhdon.

Trending