Trendy

Tetovë: Bulevardi që ende nuk merr formë, ja çka thotë Kasami

Para 4 orë

Punimet rreth bulevardit “Boris Kidriç” në Tetovë, edhe pse kanë filluar gati dy vite më parë, ende nuk kanë përfunduar. Ky projekt ishte konceptuar ndryshe nga bulevardet e tjera, pasi është paraparë që shtegu për këmbësorë të jetë në mes të bulevardit, ndërsa korsitë për vetura në të dy anët e tij. Megjithatë, pas përfundimit të fazës së parë me asfaltimin e rrugëve, punimet nuk kanë vazhduar me dinamikën e paraparë.

Nga Komuna e Tetovës thonë se shumë shpejt pritet të rinisin punimet për pjesën qendrore të bulevardit dhe për shtegun e këmbësorëve. Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, deklaroi se projekti pritet të përfundojë gjatë verës dhe se kjo pjesë e bulevardit do të vihet në shërbim të qytetarëve. “Aty besoj se shpejt do të nisin punimet për shtegun e këmbësorëve, përkatësisht për pjesën qendrore të bulevardit, dhe besoj se brenda verës edhe ajo pjesë e bulevardit ‘Boris Kidriç’ do të jetë në shërbim të qytetarëve”, deklaroi ai.

Zvarritja e punimeve në këtë bulevard u shkakton vështirësi qytetarëve gjatë kalimit, ndërsa edhe më problematike është për automjetet. Në fund, ky bulevard lidhet me pjesën tjetër të bulevardit “Bllagoja Toska”. Megjithatë, kjo lidhje nuk është funksionale siç duhet, pasi bashkohet menjëherë pas semaforëve, duke krijuar shpesh kaos dhe paqartësi mes vozitësve, ndërsa në rrezik mbeten edhe këmbësorët.

Kohë më parë, nga Komuna e Tetovës njoftuan se në këtë pjesë do të ndërtohet një rrethrrotullim, por pa dhënë një afat konkret se kur do të fillojë ndërtimi i tij.

Për ndërtimin e bulevardit “Boris Kidriç”, për fazën e dytë, Komuna e Tetovës ka ndarë 18 milionë denarë, me ç’rast pritet të përfundojë i gjithë projekti. Vonesat në realizimin e këtij bulevardi jo rrallëherë kanë shkaktuar reagime edhe nga këshilltarët e Komunës së Tetovës, sidomos nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe nga iniciativa “Më Mirë për Tetovën”.

Ndërkohë, sipas komunës, ndërtimi i këtij bulevardi do të ndihmojë ndjeshëm në shkarkimin e komunikacionit nga rrugët e tjera të qytetit, pasi ndodhet në pjesën qendrore. Njëkohësisht, ai do të mundësojë lëvizje më të sigurt për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, duke qenë se në afërsi ndodhen Shkolla e Mesme Ekonomike dhe Shkolla Fillore “Migjeni”.

Ky bulevard përfshin segmentin rrugor nga ish-Shtëpia e Armatës deri te qendra sportive, duke u lidhur me pjesën qendrore të qytetit përmes bulevardit “Bllagoja Toska”. Sipas informacioneve zyrtare, gjatësia e rrugës është 350 metra, ndërsa gjerësia 25 metra. Në të dy anët janë paraparë trotuare me nga dy metra, si dhe një zonë me gjelbërim. Shëtitorja do të jetë 4.5 metra e gjerë, ndërsa janë planifikuar edhe dy shtigje për biçikleta, secila me nga dy metra. (Urim Hasipi-Gazeta Koha)

Trending