LDSM ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryeministrit, Hristijan Mickoski, duke e akuzuar për “shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve”. Sipas përfaqësuesit të partisë, Aleksandar Sasho Dimitrieviq, kryeministri po vepron si prokuror dhe gjykatës, duke paralajmëruar procese gjyqësore kundër opozitës dhe duke targetuar kundërshtarët politikë dhe familjarët e tyre, me aktakuza të shkruara paraprakisht. Dimitrieviq thotë se kallëzimi penal ka të bëjë me veprat, “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, “Shkelje e barazisë së qytetarëve, dhe ”Rrezikim i Sigurisë”. LSDM kërkon nga Prokuroria Publike të veprojë menjëherë.
“Ky është një skandal i paprecedent dhe përfaqëson rrënim të plotë të rendit juridik dhe kushtetues, për të cilin duhet të ketë përgjegjësi. Deklarata e Hristijan Mickoskit është sinjal se gjyqësori dhe prokuroria janë shndërruar në mjete për hakmarrje politike dhe përndjekje të atyre që mendojnë ndryshe. Metoda tipike për regjime autoritare, të panjohura për sistemin demokratik,” deklaroi Aleksandar Sasho Dimitrieviq, LSDM.
Paralelisht me këtë, Venko Filipçe, në emër të LSDM-së, u dërgoi letra zyrtare Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian, raportuesit për Maqedoninë e Veriut, si dhe ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në lidhje me shkelje serioze të rendit demokratik dhe kushtetues, ndarjes së pushtetit dhe sundimit të së drejtës.
“Për një periudhë më të gjatë jemi dëshmitarë të minimit sistematik të ndarjes së pushteteve, sundimit të ligjit dhe parimeve themelore të kushtetutshmërisë. Ekziston një shqetësim real dhe i bazuar se pushteti ekzekutiv po zbaton një strategji të koordinuar për ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, gjë që tregon për një instalim të qartë dhe sistematik të autoritarizmit.”
*Shqetësim real se pushteti po zbaton strategji për ndërhyrje në pavarësinë e Gjyqësorit
Kryeministri Mickoski i pyetur për ankesën e Filipçes te ndërkombëtarët u përgjigj shkurt.
“Secili ka të drejtë të shkruajë e dërgojë letra, por ndjenjat e mia janë gjithnjë e më të forta” – Hristijan Mickoski, Kryeministër. /Alsat.mk










