Trendy

ASH: Mickoski shmang përgjigjet për diskriminimin ndaj universiteteve shqiptare, kalon në sulme politike

Para 3 orë

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar për shmangie të qëllimshme nga thelbi i çështjes së diskriminimit ndaj universiteteve shqiptare dhe për përdorim të gjuhës denigruese ndaj kundërshtarëve politikë.

Në reagimin e saj, ASH thekson se në mungesë të përgjigjeve konkrete për problemet reale në arsimin e lartë, Mickoski ka zgjedhur të etiketojë kritikët si “spekulantë politikë”, në vend që të adresojë shqetësimet për trajtimin e pabarabartë të universiteteve shqiptare.

“Diplomat në gjuhën shqipe janë e drejtë dhe jo temë për sulme politike”, thuhet në reagim, ku nënvizohet se kërkesat për financim të barabartë, mundësi të drejta për punësim, zhvillim të doktoratave dhe mbështetje për studentët shqiptarë janë legjitime dhe të bazuara në parimet e barazisë.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se edhe meritokracia dhe lufta kundër nepotizmit nuk duhet të politizohen, por të trajtohen si kushte themelore për një sistem arsimor të drejtë dhe funksional.

Sipas kësaj partie, është e papranueshme që të flitet për shtet të barabartë, ndërkohë që universitetet shqiptare trajtohen si institucione të dorës së dytë. “Kur mungojnë argumentet, dalin në pah fyerjet”, thekson ASH.

Në fund të reagimit, Aleanca për Shqiptarët bën të ditur se nuk do të tërhiqet nga, siç i quan, etiketimet e kryeministrit, duke shtuar se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e studentëve, profesorëve dhe universiteteve shqiptare “me zë të qartë dhe pa kompromis”.

ASH gjithashtu u bën thirrje përfaqësuesve politikë shqiptarë që të mos mbështesin nismën në fjalë, duke theksuar se “ky ligj nuk duhet të marrë asnjë votë shqiptare”

Trending