Trendy

BDI: Rënie prej 61% e investimeve të huaja në Maqedonia e Veriut, pasojë e qeverisjes së paaftë

Para 4 ditë

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar përmes një kumtese lidhur me situatën ekonomike në vend, duke theksuar një rënie alarmante të Investimeve të huaja direkte gjatë vitit 2025.

BDI vlerëson se investitorët e huaj kërkojnë siguri juridike, institucione funksionale, stabilitet politik dhe një perspektivë të qartë euroatlantike. Në mungesë të këtyre elementeve, ata paralajmërojnë se kapitali po largohet drejt vendeve të tjera më të favorshme.

“Ndërkohë që vendet e rajonit po garojnë për investime të reja, Maqedonia e Veriut po humb terren me ritëm alarmant”, thuhet në reagim.

BDI thekson se kjo rënie nënkupton më pak vende pune, ulje të prodhimit dhe më pak mundësi për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë. Ata akuzojnë qeverinë aktuale për dështim në përmbushjen e premtimeve për zhvillim ekonomik dhe tërheqje të investimeve.

Sipas tyre, izolimi politik, tensionet e brendshme dhe stagnimi në procesin eurointegrues kanë ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e klimës ekonomike.

Në përfundim, BDI kërkon përgjegjësi politike për situatën e krijuar dhe vlerëson se dorëheqja e qeverisë është e domosdoshme për rikthimin e besimit dhe stabilitetit ekonomik në vend.

Trending