Trendy

Çfarë posedon Gruevski dhe sa fitime realizon ai në Hungari?

Para 22 minuta

Kompania hungareze e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski edhe nën sanksionet e SHBA-ve arrin të fitojë dhjetëra mijëra euro në vit nga shërbimet e konsulencës, tregojnë të dhënat nga regjistri i kompanive hungareze, shkruan Kolegium.mk, njofton Portalb.mk.

 

Se kompania po operon në mënyrë të qëndrueshme me hyrje të rregullta tregon raporti i fundit i publikuar mbi llogarinë përfundimtare për vitin 2024. Regjistri i kompanive hungareze do t’i publikojë të dhënat nga llogaritë përfundimtare për vitin 2025 në muajin maj.

“Miku i mirë i ish-kryeministrit hungarezViktor Orbán nga Maqedonia, Gruevski, një i dënuar që u arratis në Hungari në vitin 2018 dhe mori statusin e azilit, në verën e vitit 2021 vendosi ta themelojë kompaninë e tij të vogël në qytetin e vogël hungarez në rajonin e Pest, Pecs”, shkruan portali investigativ hungarez 444.hu.

Bëhet fjalë për kompaninë ICIC Kft., aktiviteti kryesor i së cilës janë shërbimet e konsulencës, e cila mbledh në bilancin e saj bankar me miliona forinta hungareze. Në njoftimin e “Open sanctions” qëndrojnë disa variacione të emrit të kompanisë, përfshirë këtu edhe ICIC LTD, e cila, përveç konsulencës, ka ofruar edhe shitje me shumicë të porcelanit, qelqit, produkteve për pastrim dhe organizim eventesh.

“Ai mund të ketë një klient fiks, sepse të ardhurat kanë ardhur në vitet e fundit, ndërsa vetë aktiviteti nuk është aspak me shpenzime intensive, prandaj ai mund të realizojë edhe një fitim të madh”, thuhet në lajmin e medias hungareze.

Në vitin 2024 ish-kryeministri i Maqedonisë ka fituar mbi 4 milionë forinta, ose rreth 11 mijë euro, ndryshe nga një vit më parë kur ka fituar 9.700 euro. Sipas të dhënave që i ka deklaruar, ai ka pasur shpenzime të vogla për kompaninë në vlerë prej 3.400 euro, që do të thotë se i kanë mbetur rreth shtatë mijë euro fitim. Nga këto, ai ka marrë 5 mijë euro si dividendë, kështu që gjatë 3 viteve të funksionimit të kompanisë shuma e përgjithshme e ish-kryeministrit ka arrirë në 16,7 milionë forinta, ose 45 mijë euro, shkruan 444.hu.

Raporti gjithashtu zbulon se edhe pse Nikolla Gruevski i ka tërhequr rregullisht pjesën më të madhe të fitimeve të kompanisë, në fund të vitit të kaluar në llogarinë bankare të kompanisë ka pasur rreth 8 milionë forinta.

“Por, një zhvillim krejtësisht i papritur është se kryeministri i dënuar jo vetëm që jep këshilla, por edhe me sa duket mund të marrë edhe kredi. Ai ka shënuar një borxh prej 2,52 milionë forintash, ose gjashtë mijë eurosh, në bilancin e tij”, thuhet në hulumtim.

Shërbimet e konsulencës së Gruevskit në Budapest i ka përdorur edhe ministri aktual i punëve të jashtme, Péter Szijjártó, i cili, sipas raportimeve të mediave hungareze, e ka pritur ish-kryeministrin e Maqedonisë në zyrën e tij dhe është konsultuar me të për çështje që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor. Sipas ministrit, Gruevski është ai nga i cili mund të marrë informacionin më të besueshëm për rajonin, pasi ka qenë kryeministër 10 vjet.

“Nëse duam të marrim informacionin më autentik rreth asaj që po ndodh në Ballkanin Perëndimor, si po zhvillohen proceset në Ballkanin Perëndimor, atëherë me kë do të flisnim nëse jo me një person që ka qenë kryeministër atje për 10 vjet? Dhe po, bisedojmë me të rregullisht. Nuk ka rëndësi se ku. Për shembull, unë bisedoj me të në zyrën time në Ministri. Dhe mendoj se është e natyrshme që zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të jenë në kontakt me një person që ka qenë kryeministër i vendit të tij për 10 vjet”, tha Szijjártó në parlamentin hungarez pas kritikave për takimet e tij me Gruevskin.

Trending