Autoritetet meksikane kanë arrestuar një shtetas hungarez të identifikuar si Janos Balla, i njohur me pseudonimin “Daniel Takacs”, i cili ishte në listën e të kërkuarve më të rrezikshëm të Bashkimit Evropian për trafik droge.
48-vjeçari u ndalua në shtetin Quintana Roo pas një operacioni të koordinuar me autoritetet ndërkombëtare dhe në bazë të një njoftimi të kuq të Interpolit.
Ai ishte dënuar në Evropë me gjashtë vjet burg për kontrabandë të lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope. Pas arrestimit, Balla është vendosur në paraburgim nga autoritetet meksikane të migracionit, me qëllim nisjen e procedurave për deportim në Evropë.
Arrestimi vjen në kuadër të përforcimit të luftës kundër karteleve të drogës në Meksikë dhe bashkëpunimit të shtuar ndërkombëtar në këtë fushë.










