Ministri i Mbrojtjes i Izrael, Israel Katz, ka deklaruar se Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) janë urdhëruar të përdorin “forcë të plotë” në Liban, edhe gjatë armëpushimit aktual, në rast se përballen me ndonjë kërcënim.
Sipas mediave në Tel Aviv, Katz i bëri deklaratat gjatë një aktiviteti në Bregu Perëndimor, duke theksuar se ushtria ka të drejtë të reagojë me forcë maksimale ndaj çdo rreziku.
“Ne i kemi urdhëruar IDF-së të përdorë forcë të plotë, edhe gjatë armëpushimit, për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi”, u shpreh ai. Ai shtoi gjithashtu se ushtria është urdhëruar të shembë shtëpi në fshatra pranë vijës kufitare, të cilat sipas tij janë përdorur si “poste terroriste” nga Hezbollah.
Deklaratat vijnë në një periudhë tensionesh të vazhdueshme në kufirin verior të Izraelit, ku situata mbetet e brishtë pavarësisht marrëveshjeve të armëpushimit.










