Trendy

“Koha e investimeve tani” – Mesazh i fortë i Lazim Destanit nga paneli në Düsseldorf

Para 2 orë

Filantropi dhe afaristi i njohur Lazim Destani mori pjesë në një panel të rëndësishëm diskutimi në Düsseldorf, ku në fokus ishin “Mundësitë e investimeve të huaja në Maqedonia e Veriut”.

Ai në fjalën e tij theksoi rëndësinë e këtij paneli që siç tha: “dëshmon pjesëmarrja e një grupi biznesmenësh nga vendi ynë dhe Gjermania, por edhe prania e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministër për Çështjet Europiane, Bekim Sali, që tregon përkushtimin serioz institucional ndaj tërheqjes së investimeve të huaja dhe avancimit të agjendës europiane”.

“Në këtë ngjarje, diskutimet nuk u kufizuan vetëm në aspektin teorik por u fol konkretisht për potencialin real ekonomik të vendit, për lehtësirat dhe reformat e ndërmarra, si dhe për nivelin e sigurisë dhe garancive që u ofrohen investitorëve të huaj. Për mua si pjesëmarrës, ky ishte një moment i rëndësishëm për të vlerësuar nga afër se sa konkurruese është sot Maqedonia e Veriut në tregun ndërkombëtar të investimeve dhe cilët sektorë paraqesin mundësitë më të mëdha për zhvillim. Kjo ngjarje konfirmoi se dialogu i drejtpërdrejtë mes institucioneve dhe biznesit është thelbësor”, theksoi filantropi Destani.

Ai shtoi se takimet e këtilla nuk janë vetëm diskutime, ato paraqesin platforma konkrete që ndërtojnë mirëbesim, krijojnë partneritete dhe hapin rrugën për investime reale dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Ngjarja u organizua nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Gjermani, nën drejtimin e ambasadorit Ylber Sela, në bashkëpunim me Wirtschaftsclub Düsseldorf, duke krijuar një platformë të drejtpërdrejtë komunikimi mes institucioneve dhe komunitetit të biznesit.

Në përfundim, u vlerësua se takime të tilla nuk janë vetëm diskutime formale, por mekanizma konkretë që ndërtojnë besim, nxisin bashkëpunim dhe hapin rrugën për investime reale.

Trending