Trendy

VLEN: Reçica e Vogël është në gjendje paniku klinik sepse BDI nuk mbron më popullin, por ekskluzivisht mbron kriminelët që i pëlqejnë Ali Ahmetit

Para 3 orë

Reagim nga VLEN

Reçica e Vogël është në gjendje paniku klinik, sepse Bashkimi Demokratik për Integrim nuk mbron më popullin, por ekskluzivisht mbron kriminelët që i pëlqejnë Ali Ahmetit.

Derisa institucionet më në fund po e zbërthejnë nyjën kriminale shumëvjeçare, kjo parti po i kthehet konfigurimit të saj të vetëm të fabrikuar, përhapjes së lajmeve të rreme dhe shtirjes si viktimë politike. Por qytetarët nuk i blejnë më skenarët e tyre të lira; koha kur krimi fshihej pas flamurit kombëtar ka përfunduar përgjithmonë.

Ali Ahmeti dhe “garda e tij e parë” janë të fundit që mund të flasin për nder dhe interesa kombëtare. Opinioni e di mirë, dhe arkivat e vërtetojnë: BDI ishin dhe mbetën shërbëtorët më besnikë të Sasho Mijallkovit, me të cilin në rrethe të ngushta i kanë marrë vesh punët e dyshimta që i pasuruan familjet e tyre dhe i varfëruan shqiptarët.

Është qesharake dhe tragjike kur për moral flet Bujar Osmani, i vetmi shqiptar për të cilin Prokuroria Speciale Publike (PSP) me prova ka pretenduar se është i përfshirë në krim të rëndë. Osmani nuk është kurrfarë politikani evropian, por një profiter i zakonshëm politik, i cili në vend që të mbajë ligjërata në media, duhej prej kohësh të jepte llogari para organeve hetuese për shkeljet e tij.

Në të njëjtën vijë të turpit qëndron edhe Blerim Bexheti. Njeriu që sot përpiqet dëshpërimisht të fshihet pas sloganeve ironike, në fakt është simbol i drejtësisë së kapur.

 

Sulmet e tyre të orkestruara kundër Izet Mexhitit janë një projeksion klasik i frikës së tyre. Ndërsa BDI shpik “dosje” fiktive, realiteti i demanton me fakte: pikërisht kuadrot e tyre këto ditë po përballen me ekspozim publik dhe kallëzime penale për abuzime që peshojnë mbi 700.000 euro.
BDI sot funksionon si një zyrë avokatie e nëntokës, ku për Ahmetin shqiptari i zakonshëm është vetëm një numër votimi, ndërsa milionat e funksionarëve të tij janë mburoja për mbrojtjen e kapitalit të tij personal.
VLEN nuk do të lejojë që korrupsioni të maskohet me parulla patriotike. Koha e pandëshkueshmërisë për “të paprekshmit” e Reçicës ka përfunduar. Çdo denar i vjedhur nga xhepi i qytetarëve dhe nga xhepi i popullit shqiptar do të kthehet, ndërsa paniku i Ahmetit, Osmanit dhe Bexhetit është vetëm dëshmia më e sigurt se drejtësia më në fund ka trokitur në derën e tyre.

Ne vazhdojmë me rendin dhe ligjin, ndërsa ata i lëmë të mbyten në gënjeshtrat e tyre.

Trending