Gjurmët biologjike të gjyqtarit Gjoko Ristov janë gjetur në fletët e aluminit me të cilat janë mbështjellë 350 mijë eurot e gjetura në bunkerin special te shtëpia e prindërve të tij.
Nëpërmjet ekspertizës, organi i akuzës mohon pretendimet e mbrojtjes se paratë janë të prindërve të gjyqtarit, të cilat i kanë fituar nëpërmjet shitjes së rrushit apo pronave.
Prokurorja Iskra Haxhivasilevska konfirmoi se në vendin ku janë gjetur paratë, janë gjetur edhe disa shkresa në të cilat ka pasur të shkruara numra evidentues të lëndëve gjyqësore, e të cilat asociojnë me detyrën që ka ushtruar Ristovi, tanimë i akuzuar për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.










