Trendy

Erdogan rinis ‘bombardimin’ ndaj Komunitetit Mysliman Shqiptar

Para 3 orë

Pas një “armëpushimi” njëvjeçar, Ankaraja duket se ka nisur këto ditë një ofensivë të re ndaj Komunitetit Mysliman Shqiptar. Duke përfituar nga një tërheqje relative e vëmendjes amerikane nga Tirana, si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Erdogan duket se ka lëshuar ‘raketat’ e tij mediatike për të ‘bombarduar’ KMSH-në.

Synimi duket i qartë, marrja nën kontroll e këtij institucioni. Një përpjekje e tillë u ndal vetëm falë ndërhyrjes energjike të SHBA-së tre vjet më parë, kur Ankarasë iu bë e qartë se çdo tentativë tjetër për të destabilizuar Komunitetin Mysliman Shqiptar do të sillte pasoja të rënda dhe ekspozim publik të rrjeteve të ndikimit që ajo financon në Shqipëri.

Rinisja e sulmit duket se ka ardhur edhe nga paniku. Një arsye mund të jetë emërimi si ambasador në Tiranë i gjeneralit të forcave speciale, Eric Wendt. Ka gjasa që Ankaraja të parashikojë një bllokim edhe më të fortë të operacioneve të saj në Ballkan, si edhe zhvillime të tjera që mund të lidhen me dosje më të gjera rajonale. Por kjo është një çështje më vete.

Predha e parë nuk erdhi drejtpërdrejt nga Ankaraja, por nga një prej mediave të financuara prej saj në Tiranë. Pikërisht kjo media, e cila gjatë konfliktit me Iranin mbajti hapur krahun e ajatollahëve, nisi sulmin ndaj numrit dy të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Islam Hoxhës.

Islam Hoxha është njëkohësisht kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së dhe myfti i Kamzës, territor që pas Tiranës ka një nga përqendrimet më të mëdha të besimtarëve myslimanë. Sulmi ndaj tij u mbështet mbi akuza për nepotizëm me kreun e KMSH-së, por pa asnjë provë konkrete. E vetmja hipotezë e përdorur ishte origjina e përbashkët e të dyve nga një fshat i Kukësit.

Më pas erdhi akuza tjetër, se fakti që ai është ndër të parët që ka studiuar teologji në Turqi e lidh me Gylenin. Kjo akuzë bie në kundërshti me vetveten. Nga njëra anë glorifikohet Turqia, Erdogani dhe trashëgimia osmane, ndërsa nga ana tjetër sulmohet një klerik vetëm sepse është arsimuar në Turqi.

Megjithatë, sulmi ka vlerë jo për atë që thotë, por për atë që zbulon. Ai tregon drejtimin e goditjes që Ankaraja synon të japë ndaj KMSH-së. Erdogan nuk po e godet drejtpërdrejt kreun e institucionit. Ai po përpiqet të marrë krahët, të dobësojë rrethin e tij dhe ta rrethojë gradualisht.

Kjo është e njëjta metodë që u përdor tre vjet më parë me ish-myftiun e Tiranës, i cili u linçua në xhaminë e Rrugës së Kavajës, një institucion që Ankaraja e kontrollon plotësisht. Ajo përplasje u zgjidh përmes një marrëveshjeje, pasi KMSH, me ndërhyrjen e amerikanëve, gjeti një formulë kompromisi për emërimin e myftiut të Tiranës, i cili kontrollon edhe xhaminë e madhe të Namazgjasë.

Edhe pse ky myfti nuk rreshtohet hapur, ai shihet si pjesë e xhematit të Ankarasë. Me sa duket, ai ishte kompromisi që SHBA i ofruan Erdogan për të ndalur luftën frontale ndaj Komunitetit Mysliman Shqiptar. Por duket se Ankaraja nuk është mjaftuar me kaq.

Pasi mori myftiun e Tiranës dhe pasi Namazgjaja është kthyer në një qendër me frymë të hapur antiamerikane dhe antisemite në mes të Tiranës, tani po kërkohet edhe myftiu i Kamzës, me synimin për të rrethuar kreun e KMSH-së dhe për ta lënë institucionin pa mbështetje të brendshme.

Të gjitha gjasat janë që ky sulm të përshkallëzohet të paktën deri në fillim të verës, kur të mbyllen procedurat për ardhjen e ambasadorit të ri amerikan në Tiranë. Ka shumë mundësi që ai të ndërhyjë fort për të ndalur lojërat agjenturore antiamerikane dhe antisemite që po zhvillohen në Shqipëri nën mbulesën fetare dhe mediatike./Pamfleti

Trending