Situata me qentë endacakë në territorin e Komunës së Gostivarit është serioze dhe kërkon zgjidhje urgjente. Kjo problematikë është diskutuar edhe në njërën nga seancat e Këshillit për Preventivë në kuadër të Komunës së Gostivarit.
Sipas informacioneve të prezantuara nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, në Gostivar ka rreth 200 qen endacakë, të cilët paraqesin rrezik për sigurinë e qytetarëve dhe për shëndetin publik. Ai përsëriti qëndrimin se zgjidhja afatgjatë është ndërtimi i një strehimoreje për qentë endacakë, e cila do të përfshinte të nëntë komunat e Pollogut.
Limani është shprehur se për këtë qendër ekziston projekt në letër, por mungon veprimi konkret në nivel të rajonit të Pollogut. Në këtë drejtim, kreu i Gostivarit ka theksuar se, nëse nuk arrihet një zgjidhje e përbashkët mes komunave, atëherë do të detyrohet të ndërmarrë vetë hapa konkretë për zgjidhjen e këtij problemi.
“Sipas informacioneve që kemi, numri i qenve endacakë në territorin e Komunës së Gostivarit është mbi 200. Si komunë, lidhur me këtë problem, ne kemi angazhuar një stacion veterinarie i cili e kryen punën e vet. Strehimorja që kemi pasur aktualisht është jashtë funksionit. Në nivel të rajonit të Pollogut ka një projekt dhe është përcaktuar edhe një vend, por ende nuk kemi arritur ta finalizojmë. Duhet të jeni të bindur se qasja e vetëm një komune nuk është e mjaftueshme për ta zgjidhur plotësisht këtë problem. Pra, angazhimi i komunave, por edhe i pushtetit qendror, do ta zgjidhte këtë çështje me të cilën përballen të gjitha komunat në vend”, deklaroi Valbon Limani, kryetar i Komunës së Gostivarit.
Rritja e pranisë së qenve endacakë në territorin e kësaj komune ka bërë që të shtohen edhe rastet e kafshimit të qytetarëve, pikërisht nga qentë e pastrehë.
Nga ana tjetër, komandanti i Stacionit Policor në Gostivar, Adil Ademi, duke prezantuar shifrat, tha se gjatë vitit të kaluar rreth 100 persona janë kafshuar nga qentë endacakë, ndërsa brenda tre muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 10 raste të tilla.
“Në vitin 2024 ka pasur 72 raste të sulmeve ndaj qytetarëve nga qentë endacakë. Në vitin 2025 kemi pasur 100 raste, që është një shifër shqetësuese, pasi paraqet rritje prej 38 për qind krahasuar me vitin paraprak. Ndërkaq, në tremujorin e parë kemi 10 raste kur qytetarët kanë denoncuar kafshime nga qentë endacakë. Po ashtu, mund të shtojmë se kemi hasur edhe raste të transportimit të qenve endacakë me furgonë nga komuna të tjera dhe ndaj tyre është vepruar konform ligjit nga Ministria e Punëve të Brendshme. Kjo problematikë do të ndiqet edhe më tej me vëmendje nga ana e policisë”, deklaroi komandanti i Stacionit Policor në Gostivar, Adil Ademi.
Edhe shoqatat joqeveritare që merren me trajtimin e qenve endacakë kërkojnë që kjo problematikë të zgjidhet dhe janë shprehur të gatshme të ndihmojnë në këtë proces. (koha.mk)










