Trendy

Fermerët investojnë vetë për mbrojtje nga ngricat, Pollogu mbetet pa mbështetje

Para 3 orë

Ndërsa në Rosoman po prezantohen makina moderne për mbrojtjen e pemishteve dhe vreshtave nga ngricat, situata në rajonin e Pollogut mbetet shqetësuese për fermerët.

Bujqit e kësaj zone përballen çdo vit me humbje të mëdha të rendimentit si pasojë e temperaturave të ulëta pranverore, të cilat zakonisht godasin në fund të prillit dhe në fillim të majit – pikërisht në periudhën më të ndjeshme të lulëzimit.

Megjithatë, ndryshe nga iniciativa të tilla që po shihen në zona të tjera, fermerët e Pollogut nuk janë pajisur me asnjë lloj makinerie mbrojtëse nga institucionet lokale. Mungesa e mbështetjes konkrete i detyron ata të përballojnë vetë kostot ose të mbeten të pambrojtur ndaj dëmeve që shkakton moti.

Sipas vetë fermerëve, investimi në pajisje kundër ngricave është i domosdoshëm për të garantuar prodhim të qëndrueshëm, por kostot e larta e bëjnë të vështirë për shumë prej tyre që t’i sigurojnë këto teknologji pa ndihmë.

Në këto kushte, bujqit kërkojnë më shumë angazhim nga komunat e Pollogut për të mbështetur sektorin bujqësor me masa konkrete, në mënyrë që të reduktohen humbjet dhe të rritet siguria e prodhimit vendor.

Trending