Trendy

Pas lajmeve për shëndetin dhe “humbjen” e pushtetit, reagon Khamenei: Armiku kërkon të minojë unitetin

Para 1 orë

Lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka reaguar publikisht pas raportimeve të shumta për gjendjen e tij shëndetësore dhe zhvillimet e fundit në Teheran, duke theksuar se vendi përballet me përpjekje për destabilizim.

Sipas Al Jazeera, ai shkruan: “Fushata mediatike e armikut synon të minojë unitetin tonë kombëtar dhe sigurinë tonë kombëtare. Uniteti i Iranit do të forcohet dhe do të bëhet më rezistent, dhe përpjekjet dashakeqe të armikut për të minuar unitetin tonë nuk duhet të kenë sukses.”

Reagimi i tij vjen në një moment kur raportime të The New York Times dhe mediave të tjera ndërkombëtare flasin për një përkeqësim të gjendjes së tij shëndetësore pas sulmeve ajrore të 28 shkurtit, në fillim të konfliktit me një koalicion të udhëhequr nga SHBA dhe Izraeli.

Sipas këtyre burimeve, Khamenei ka mbetur i plagosur gjatë bombardimeve që goditën kompleksin ku ndodhej në Teheran. Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, me profesion kirurg kardiak, raportohet se ka marrë përsipër trajtimin e tij, në bashkëpunim me ministrin e Shëndetësisë.

Burime iraniane të cituara nga mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se lideri suprem i është nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale, përfshirë operacione në dorë dhe këmbë, ndërsa pritet të pajiset me protezë. Ai gjithashtu ka pësuar djegie të rënda në fytyrë dhe buzë, çka ka ndikuar në aftësinë për të komunikuar dhe mund të kërkojë ndërhyrje plastike.

Pavarësisht kësaj, The New York Times thekson se ai mbetet “i kthjellët mendërisht dhe aktiv”, sipas burimeve. Megjithatë, kontaktet me të janë kufizuar ndjeshëm dhe realizohen kryesisht përmes stafit mjekësor, ndërsa komunikimi zhvillohet përmes mesazheve të shkruara me dorë.

Në të njëjtën kohë, raportimet sugjerojnë se zyrtarë të lartë të Gardës Revolucionare dhe të qeverisë shmangin vizitat, për shkak të shqetësimeve për sigurinë dhe rrezikun e monitorimit të mundshëm nga Izraeli.

Këto zhvillime përkojnë me raportime të tjera që flasin për tensione në majat e pushtetit në Iran dhe për një rol gjithnjë e më të madh të Gardës Revolucionare në vendimmarrje. Media ndërkombëtare kanë përmendur edhe përplasje të brendshme dhe vështirësi në koordinimin e politikave strategjike, megjithëse autoritetet iraniane i kanë mohuar këto pretendime.

Trending