Trendy

Gjykata e Apelit në SHBA bllokon urdhrin e Trumpit për kufizimin e azilit për imigrantët e paligjshëm

Para 54 minuta

Një gjykatë federale apeli bllokoi sot një shpallje nga presidenti amerikan, Donald Trump që synonte të ndalonte njerëzit që hynë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të aplikonin për azil në SHBA.

Ndalimi ishte përfshirë në një shpallje të nënshkruar nga presidenti i SHBA-së në ditën e tij të parë në detyrë.

Në të, Donald Trump pretendon se situata në kufirin jugor të SHBA-së përbën një pushtim për shkak të fluksit të njerëzve që kërkojnë të hyjnë në vend.

Por, një gjyqtar federal në Uashington, D.C., e kishte pezulluar shpalljen, duke vendosur në korrik se vetëm Akti i Imigracionit dhe Kombësisë rregullon procedurat e deportimit.

“Asgjë në Aktin e Imigracionit dhe Kombësisë ose në Kushtetutë nuk i jep presidentit ose përfaqësuesve të tij fuqitë e jashtëzakonshme të thirrura në shpallje dhe direktivat për zbatimin e saj”, shkroi ai.

Një gjykatë apeli në Uashington e mbështeti këtë arsyetim.

“Kongresi miratoi Aktin e Azilit (…) për t’u dhënë të gjithë të huajve fizikisht të pranishëm në Shtetet e Bashkuara të drejtën për të kërkuar azil dhe për të shqyrtuar kërkesat e tyre individuale”, theksoi gjykata e apelit.

”Nëse qeveria dëshiron ta modifikojë këtë sistem, ajo duhet t’ia paraqesë argumentet e saj të vetmit organ të autorizuar për të ndryshuar Aktin e Imigracionit dhe Kombësisë: Kongresit”, vazhdoi ajo.

Gjykatësi i shkallës së parë u pajtua me një peticion nga 13 individë, që pretendonin se po largoheshin nga persekutimi në Afganistan, Ekuador, Kubë, Egjipt, Brazil, Turqi dhe Peru, si dhe nga tre OJQ për të drejtat e emigrantëve.

Gjykatësi vuri në dukje se gjashtë prej tyre ishin deportuar tashmë sipas kësaj shpalljeje.

Donald Trump e ka bërë luftimin e imigracionit të paligjshëm përparësinë e tij kryesore, duke iu referuar një “pushtimi” të Shteteve të Bashkuara nga kriminelë të huaj dhe duke folus gjerësisht rreth deportimit të emigrantëve.

Por, programi i tij i deportimit masiv është penguar ose ngadalësuar nga vendime të shumta gjyqësore, veçanërisht me arsyetimin se ata që janë në shënjestër duhet të jenë në gjendje të kërkojnë të drejtat e tyre.

Pasojat praktike të këtij vendimi nuk dihen ende, veçanërisht pasi administrata Trump pritet të përdorë rrugët ligjore që i janë në dispozicion.

Trending