Trendy

Themelimi i qendrave islame nga mërgata shqiptare myslimane në Zvicër

Para 2 orë

-konteksti historik-
Nga Bashkim Aliu

Hyrje

Historia e mërgatës shqiptare në Perëndim në përgjithësi, dhe në Zvicër në veçanti, në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, në bërthamën e vet i ka institucionet fetare islame të këtij komuniteti si pjesë të pandashme të saj, dhe tabloja e imazhit të saj nuk kompletohet dot pa veprimtarinë e teologëve muslimanë shqiptarë në mërgim, të cilët përmes qendrave islame, patën funksion tredimensional për komunitetin. Funksionet kryesore ishin: fetare, kombëtare dhe integruese.

Qendrat kulturore islame të shqiptarëve në Perëndim në përgjithësi, dhe në Zvicër në veçanti, paraqesin institucione me peshë dhe kontribut të dëshmuar në kuadrin kulturor dhe civilizues të institucioneve të mërgatës shqiptare muslimane në Zvicër dhe në Perëndim në përgjithësi.

Aktivitetet e nduar-nduarta të këtyre institucioneve, sa flasin për largpamësinë e imamëve dhe stafeve drejtuese të tyre, aq flasin edhe për profilin intelektual të masës të cilës i drejtohen, anëtarëve dhe shtresave tjera të cilat përfitojnë nga ajo që këto institucione u ofrojnë, sepse kontributi intelektual, nuk absorbohet dhe nuk konsumohet nga masë me profil të ulët intelektual, dhe e ngarkuar me paragjykime dhe stereotipa për kultet, modernizmin, shkencën, doktrinat fetare, civilizimin, historinë e fesë dhe të dijeve, shpirtëroren dhe materialen, progresiven dhe regresiven, emancipimin dhe mendësinë e vjetruar dhe modelet tradicionale etj. Gama e gjerë e aktiviteteve dhe e veprimtarisë së institucioneve fetare islame të mërgatës shqiptare në Perëndim në përgjithësi dhe në Zvicër në veçanti, ka kontribuar që në mbarë shoqërinë, e jo vetëm në proveniencën e komunitetit shqiptar musliman në Zvicër, të zhvillohet sensi i multifunksionalitetit efektiv të institucioneve religjioze, në veçanti atyre që identifikohen si minoritare në shoqëri demokratike me një mjedis të ndryshëm kulturor dhe tradicional.

STATUSI JURIDIK I QENDRAVE ISLAME NË LEGJISLACIONIN ZVICERAN

Sipas kushtetutës federale zvicerane, individët kanë të drejtë të ushtrojnë besimin dhe bindjet e tyre religjioze individualisht ose në bashkësi me të tjerët, si dhe të anëtarësohen e t’i përkasin një bashkësie religjioze.[1] Po ashtu, kushtetuta zvicerane garanton të drejtën e individëve që të formojnë dhe të bashkohen në shoqata.[2] Konform këtyre të drejtave të garantuara me kushtetutën zvicerane, pjesëtarët e religjioneve dhe bashkësive fetare kanë të drejtë të organizohen në shoqata religjioze dhe kulturore për t’i realizuar aktivitetet e tyre.[3] Duke marrë parasysh se komuniteti musliman në Zvicër nuk e ka statusin e bashkësisë fetare të pranuar nga shteti, organizimi i tij bëhet përmes shoqatave dhe fondacioneve. Për këtë arsye, xhamitë e themeluara prej shqiptarëve në Zvicër, si dhe të gjitha xhamitë e themeluara nga bashkësitë e tjera etnike, janë të regjistruara si shoqata joqeveritare.[4] Deri në vitin 2025, qendrat islame shqiptare anëtare të KMSHZ-së, janë të regjistruara si shoqata. Deri më tash, vetëm dy qendra, krahas shoqatës, kanë të regjistruar edhe fondacion, edhe atë:

1.Fondacioni i Rinisë Islame në Cyrih, në kuadër të të cilit vepron xhamia shqiptare në qarkun e njëmbëdhjetë të Cyrihut, gjegjësisht në lagjen Seebach.

2.Fondacioni CICRA i themeluar nga Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë (VD), për lehtësimin e procedurave për blerjen e objektit të xhamisë nga kjo qendër.

HAPJA E QENDRAVE ISLAME (XHAMIVE) NGA ANA E MËRGATËS SHQIPTARE NË ZVICËR

Ardhja e shqiptarëve muslimanë në Zvicër si dhe në Perëndim në përgjithësi, e shtroi edhe nevojën për hapjen e qendrave islame ku do të ligjërohet dhe do të mësohen parimet fetare në gjuhën shqipe, pasi mërgata shqiptare i barti me vete në Perëndim përkatësinë, ndjenjat, traditat dhe kulturën fetare, e një numër i tyre ishin praktikues të fesë. Kjo u pa nga anëtarësimi i shqiptarëve në qendrat islame të themeluara nga turqit dhe nga arabët, të cilët u kishin paraprirë shqiptarëve në këtë drejtim. Paraprakisht, ka pasur raste kur shqiptarët në numër më të vogël dhe me kushte përkatëse për mos t’i shqetësuar banorët, janë tubuar edhe nëpër banesa për të kryer rituale fetare. Hapja e qendrave islame nga ana e shqiptarëve u intensifikua në veçanti, kur mërgimtarët shqiptarë filluan t’i sjellin në Perëndim edhe familjet e tyre. Ardhja e fëmijëve e ngriti edhe nevojën për mësim-besimin për fëmijët në gjuhën shqipe, kështu që mërgata shqiptare iu qas më seriozisht hapjes së qendrave islame

Hapja e qendrave islame në Zvicër dhe gjithandej në Perëndim, është një proces që rrjedh dhe kohë pas kohe hapen qendra të reja. Në Zvicër vepron organizata ombrellë e cila i përfshinë pjesën më të madhe të qendrave islame të mërgatës shqiptare në Zvicër, gjegjësisht Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër. Jashtë ombrellës së KMSHZ-së ka ngelur një numër jo shumë i madh i tyre. Kështu, me 02.02.2025, në lokalet e qendrës islame “Nur” në Frauenfeld, në kantonin Thurgau, Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër i zhvilloi punimet e kuvendit të rregullt vjetor. Në këtë kuvend u miratuan edhe aplikimet e tre qendrave të reja për anëtarësim në KMSHZ, me çka numri i qendrave islame anëtare të KMSHZ-së arrinë në 60 sosh.[5] Sipas kryetarit të Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, Mehas ef. Alija, numri i përgjithshëm i qendrave islame të mërgatës shqiptare në Zvicër, supozohet të jetë 85.[6] Kjo, ngase mërgata muslimane shqiptare në Zvicër vazhdon të hapë qendra të reja, dhe disa prej tyre anëtarësohen, ose lajmërohen në KMSHZ si qendra të hapura, e disa nuk lajmërohen. Ndërkaq, numri i organizatave islame në Zvicër, supozohet të jetë diku 300 sosh.[7]

Qendrat islame të themeluara nga shqiptarët në Zvicër, po edhe ato të themeluara nga komunitetet e tjera muslimane, nuk janë thjeshtë vetëm faltore, por ofrojnë shërbime të lloj-llojshme duke filluar nga kryerja e adhurimeve, ceremonive fetare, kurseve, mësim-besimit për fëmijë dhe të rritur, ceremonive familjare, ceremonive mortore, etj. Kjo në vetvete flet se qendrat islame-xhamitë në Perëndim në përgjithësi, dhe në rastin tonë në Zvicër në veçanti, janë multifunksionale. Kjo është bazike për të filluar për ta analizuar rolin e qendrave islame-xhamive në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit fetar dhe kombëtar të komunitetit shqiptar në Perëndim.

[1] Këtë e garanton neni i 15 i Kushtetutës zvicerane. Shih: Bundesverfassung der Schweizerischen Eidgenossenschaft, Art.23, Absatz 1, 2, 3 und 4.

[2] Këtë e garanton neni i 23 i Kushtetusë zvicerane. Shih: Bundesverfassung der Schweizerischen Eidgenossenschaft, Art.23, Absatz 1,2 und 3. Krahaso: Ramadan, Tarik, Të jesh musliman evropian, Sira, Prishtinë, 2021, f.f.209-210.

[3] Shih Tuor, Peter., Schnyder, Bernhard., Schmid, Jörg., Jungo Alexandra., & Hürlimann-Kaup, Bettina, Das Schweizerische Zivilgesetzbuch, 15.Auflage, Schulthess, 2023, f.139.

[4] Kushtetuta zvicerane nuk e njeh kategorinë “Xhami”, për dallim prej kategorisë “Kishë”, raportet e së cilës janë rregulluara me nenin 72 të kushtetutës zvicerane. Shih: Bundesverfassung der Schweizerischen Eidgenossenschaft, Art.72, Absatz 1.

[5] Në këtë mbledhje kam marrë pjesë në cilësi të anëtarit të kryesisë së KMSHZ-së, si dhe në cilësi të kuvendarit, si imam i xhamisë shqiptare në Seebach-Cyrih. E dhëna në fjalë është e qasshme edhe në faqen zyrtare të KMSHZ-së: https://daigs.ch/. Shih:

MBAHET KUVENDI VJETOR I KOMUNITETIT MUSLIMAN SHQIPTAR NË ZVICËR

[6] Bisedë e realizuar me Mehas ef. Alija, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, dhe njëherësh imam në xhaminë “El Hidaje” në St.Gallen, më 03.10.2023 përmes telefonit.

[7] E dhëna e përmendur figuron në faqen zyrtare të Unionit të Organizatave Islame në Kantonin e Cyrihut. Shih:

https://vioz.ch/muslime-und-die-schweiz/

Trending