Ferit Hoxha vijon të bëjë të paditurin sa i takon fyerjeve ndaj shqiptarve të Maqedonisë së Veriut. Edhe pse mesazhet dolën hapur, Feriti vijon të spërdridhet.
Ai priti sot në një takim Izet Mexhitin, kryetar i Lëvizjes Demokratike në Maqedoninë e Veriut dhe kryetar i Komunës së Çairit. Pas përfundimit të fjalimeve, gazetarët i kanë kërkuar një koment në lidhje me mesazhet e bëra publike, duke ja u nxjerrë inatin mediave.
“Keni mbetur te java e kaluar, ndërkohë që gjërat kanë evoluar. Nuk ka asgjë të vërtetë nga ato mesazhe, nuk do më tërhiqni ku doni ju, unë kam evoluar, Shqipëria është duke ecur në rrugën e BE dhe nuk do merrem me tymnaja”, tha ai.
Por fakti që thirri në takim Izet Mexhitin tregon qartë se Feriti e ka thënë atë fjalë. Mirëpo “dielli nuk mbulohet dot me shoshë”. Ministri ka tentuar sot të tregojë se ka raporte të mira me ta, mirëpo relitetin nuk e ndryshon dot. Ne kemi për ministër të Jashtëm një person që fyen shqiptarët kudo ata janë.
Dje Koalicioni shqiptar në Maqedoninë e Veriut, VLEN, reagoi pas publikimit të mesahzit, duke e konsideruar përmbajtjen si problem serioz në planin politik dhe diplomatik.
Në një foto të publikuar, vërehet mesazhi i ministrit Ferit Hoxha, i cili i cilëson shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, si idiotë.
Në deklaratë, VLEN thekson se gjuha e përdorur në mesazh është fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe bie ndesh me standardet e komunikimit institucional. Sipas këtij subjekti, mënyra e shprehjes ngre dyshime për qëndrimin që një përfaqësues shtetëror mban ndaj bashkëkombësve jashtë territorit të Shqipërisë.
Koalicioni thekson se rasti nuk mund të trajtohet si një keqkuptim i zakonshëm, duke iu referuar reagimeve të shumta që kanë ardhur nga figura publike dhe qytetarë në të dy vendet.
VLEN shprehet se fshirja e mesazhit nuk e zhbën ndikimin që ai ka pasur në publik dhe kërkon një qëndrim të qartë nga vetë Hoxha. Në të njëjtën kohë, kritikohet mungesa e reagimit nga institucionet në Shqipëri, të cilat , nuk kanë mbajtur një qëndrim të dukshëm për këtë çështje.










