Përmirësimi i kushteve klimatike ka bërë që bujqit të fillojnë me pastrimin e pronave të tyre nga mbetjet e ndryshme. Një pjesë e madhe e bujqve, pastrimin e pronave e bëjnë me djegien e mbetjeve dhe kjo ka bërë që në rajonin e Pollogut të vërehen shumë vatra zjarri. Ndonëse për momentin nuk ka rrezik për përhapje të zjarrit në sipërfaqe më të madhe, megjithatë institucionet kanë filluar të intervenojnë në shuarjen e disa zjarreve. Nga Brigada e zjarrfikësve të Tetovës apelojnë që bujqit të kenë kujdes gjatë kësaj periudhe kur djegin mbetje të ndryshme nga viti i kaluar.
“Duke marrë parasysh kohën e mirë dhe motin e ngrohtë, shumë bujq në këtë periudhë bëjnë pastrimin e fushave, dhe për shkak të thatësisë, shpesh gjatë ndezjes së zjarreve në fusha ndodh që zjarri të del jashtë kontrolli, duke vështirësuar punën tonë gjatë shuarjes së zjarrit. Andaj apelojmë deri te qytetarët tanê që të jenë më të kujdesshëm, që të mos vijë deri te përhapja më e madhe e flakëve të zjarrit”, apelon Avni Ameti, Komandant i Brigadës së zjarrfikësve në Tetovë.
Me rritjen e temperaturave dhe praninë e vegjetacionit të thatë nga sezoni i kaluar, rreziku i zjarreve në natyrë rritet ndjeshëm, sidomos edhe përgjatë Mali Sharr. Nga Parku Kombëtar në Malin Sharr kanë kërkuar që qytetarët të kujdesen për natyrën dhe të mos ndezin zjarre. Nga ky institucion kanë publikuar edhe foto nga intervenimet që janë bërë së fundmi në një pjesë të Malit Sharr që ishte përfshirë nga zjarri.
“Apelojnë deri tek qytetarët që të mos ndezi zjarr në hapësira të hapura. Mos të digjen mbetje bujqësore, mos të hidhen cigare apo materiale që lehtë ndizen në natyrë. Vegjetacioni i thatë paraqet një kërcënim serioz për pasuritë natyrore të Parkut Kombëtar Mali Sharr, ndërsa temperaturat e larta e rrisin edhe më shumë rrezikun nga zjarret e pakontrolluara. Ta ruajmë natyrën së bashku .Një shkëndijë mund të shkaktojë dëme të mëdha”, apelojnë nga parku kombëtar Mali Sharr. Edhe përkundër apeleve të vazhdueshme të institucioneve, megjithatë zjarret nuk ndalen, sidomos në komunat rurale. Ditë, më parë është bërë e ditur për një zjarr të madh në rajonin e Komunës së Bogovinës, por falë intervenimit të zjarrfikësve, zjarri është vënë nën kontroll, duke evituar pasoja më të mëdha.
“Falë reagimit të shpejtë dhe profesionalizmit të njësisë sonë të zjarrfikësve, si dhe mbështetjes nga ekipet e Njësisë Territoriale të Tetovës është shuar me sukses e zjarri që kishte përfshirë zonën pyjore përgjatë rrugës për në Novo Sellë, afër vendit të njohur si Zabel”, njoftuan nga komuna e Bogovinës.
Ndryshe, rikujtojmë se gjatë vitit të kaluar janë djegur sipërfaqe të mëdha të pyjeve në territorin e Komunës së Zhelinës dhe Jegunocit. Lokalizimi dhe shuarja e këtyre zjarreve zgjati disa ditë, është përskaj intervenimeve nga ajri. (koha.mk)





