Trendy

Rubio: SHBA nuk pranon marrëveshje pa garanci kundër armëve bërthamore

Para 4 orë

Irani është “serioz” në përpjekjet për të arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, por çdo marrëveshje duhet të parandalojë zhvillimin e një arme bërthamore.

Kështu u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një intervistë për Fox News.

Mendoj se janë seriozë për të dalë nga situata e vështirë në të cilën ndodhen”, tha Rubio, duke iu referuar kushteve të përkeqësuara ekonomike në Iran.

Ai përmendi inflacionin, vështirësitë në pagesën e pagave dhe ndikimin e vazhdueshëm të sanksioneve. “Të gjitha problemet që Irani kishte para fillimit të këtij konflikti janë ende të pranishme, dhe shumica janë përkeqësuar”, shtoi ai.

Sipas tij, çdo marrëveshje duhet të përmbajë garanci të qarta: “Duhet të sigurohemi që çdo marrëveshje… të parandalojë në mënyrë përfundimtare që ata të vrapojnë drejt një arme bërthamore në çdo moment”.

Irani dhe SHBA zhvilluan bisedime në Islamabad më 11 prill, por nuk arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që nisi më 28 shkurt. Negociatat pasuan një armëpushim dyjavor të ndërmjetësuar nga Pakistani më 8 prill, i cili më pas u zgjat.

Ndërkohë, tensionet në rajon mbeten të larta. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, reagoi ndaj refuzimit të liderit të Hezbollahut, Naim Qassem, për negociata të drejtpërdrejta me Izraelin, duke paralajmëruar për përshkallëzim.

Nëse qeveria libaneze vazhdon të mbrohet nën krahun e organizatës terroriste Hezbollah, zjarri do të shpërthejë dhe do të përfshijë Libanin”, deklaroi Katz, sipas një komunikate të transmetuar nga AFP. Komentet e tij u bënë gjatë një bisede me të dërguarën e OKB-së për Libanin, Jeanine Hennis-Plasschaert.

Më herët, Qassem kishte deklaruar se bisedimet me Izraelin nuk i sjellin përfitim Libanit dhe i bëri thirrje qeverisë të tërhiqet nga ajo që e quajti një “gabim i rëndë”, që sipas tij po e çon vendin drejt paqëndrueshmërisë.

Trending