Trendy

Nëse udhëtoni drejt Greqisë për fundjavë, këtë patjetër duhet ta keni në veturë

Para 4 orë

Nëse për fundjavën festive keni planifikuar të udhëtoni drejt Greqisë, kontrolli i automjetit bëhet pothuajse një hap i domosdoshëm – jo vetëm për sigurinë tuaj, por edhe për të shmangur gjobat e reja, dukshëm më të ashpra, që kanë hyrë në fuqi së fundmi, përcjell tetova1

Rregullat e qarkullimit në Greqi janë ashpërsuar kohët e fundit, ndërsa vëmendje të veçantë ka marrë ndryshimi në standardin e kompletit të ndihmës së parë. Tani kërkohet që ai të jetë në përputhje me versionin e ri DIN 13164:2022 dhe të përmbajë një listë të zgjeruar prej 16 elementesh. Mes tyre përfshihen batanije termike, lloje të ndryshme fashash për djegie dhe maska mbrojtëse. Nëse automjeti nuk e plotëson këtë standard, drejtuesit rrezikojnë një gjobë prej rreth 30 eurosh – pothuajse sa çmimi i një kompleti të ri të përputhshëm.

Por kjo nuk është e vetmja gjë që duhet të keni parasysh. Sipas mediave greke, përfshirë portalin “Protothema”, autoritetet kanë shtuar edhe kontrollin në disa segmente të tjera të trafikut. Kufizimi i shpejtësisë në zonat urbane është ulur nga 50 në vetëm 30 km/h, duke ndryshuar ndjeshëm mënyrën e lëvizjes në qytete.

Ndërkohë, lista e pajisjeve të detyrueshme në automjet mbetet e njëjtë, por kontrollet janë bërë shumë më rigoroze: fikës zjarri, trekëndësh paralajmërues, jelek reflektues dhe gomë rezervë duhet të jenë të pranishme dhe lehtësisht të arritshme në çdo automjet./tetova1.mk/

Trending