Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar të hënën vetëm raundin e parë të votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, pa arritur të përmbyllë procesin brenda seancës plenare.
Në votimin e parë, kandidatja Feride Rushiti ka siguruar 63 vota, ndërsa një votë është shpallur e pavlefshme. Në sallë kanë qenë të pranishëm 64 deputetë, numër i pamjaftueshëm për të përmbushur kërkesën kushtetuese për pjesëmarrje prej dy të tretave të Kuvendit.
Seanca është bojkotuar nga partitë opozitare, përfshirë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke vështirësuar vijimin e mëtejmë të procesit zgjedhor.
Zgjedhja e Presidentit duhet të finalizohet brenda afatit kushtetues, i cili përfundon të martën. Në të kundërtën, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.





