Nën moton “Kur i shuani artistët – e shuani dritën”, Sindikata e Kulturës organizoi protestë para Gjykatës Kushtetuese. Punonjësit e kulturës janë kundër procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Marrëveshjes Kolektive. Kryetarja e SKRM-së Vera Atanasovska tha se marrëveshja kolektive për kulturë nuk është privilegj, nuk është numër në buxhet, por marrëveshje që mbron të drejtat themelore të punës së njerëzve që krijojnë kulturë.
“Nëse marrëveshja kolektive për kulturën bie në këtë gjykatë, nuk do të jetë një rast i izoluar, do të jetë fillimi i rënies së të gjitha marrëveshjeve kolektive. Këtu sot, po hapet rruga, çdo marrëveshje kolektive që ofron të drejta më të mëdha se ato ligjore ose rregullon të drejta që nuk i ka zhvilluar, mund të vihet në pikëpyetje nesër, vendimi që do të merret këtu mund të bëhet precedent, shenjë që çdo marrëveshje është e cenueshme”, tha Vera Atanasovska – kryetare e SKRM-së.
“Kjo nuk është luftë vetëm për marrëveshjet kolektive tuajat, përderisa ata nënshkruajnë marrëveshje kolektive, shfuqizojnë një marrëveshje kolektive ose mos dashtë Zoti ta anulojnë, pra duhet të jeni në pagën minimale dhe të ktheni para mbrapsht në buxhet që ndoshta është qëllimi i individëve”, u shpreh kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov.
Gjykata Kushtetuese reagoi lidhur me protestën, duke sqaruar se aktualisht është hapur procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Marrëveshjes Kolektive për Kulturë dhe një neni të Ligjit për Kulturë. Nga Gjykata theksojnë se bëhet fjalë për fazën e dytë të procedurës dhe ende nuk ka vendim përfundimtar për aktet e kontestuara.
“Gjykata vepron ekskluzivisht brenda kornizës së kompetencave të saj të përcaktuara me Kushtetutë dhe vendos për çështje kushtetuese-juridike, d.m.th. vlerëson përputhshmërinë e rregulloreve me Kushtetutën. Në këtë kuptim, objekt shqyrtimi nuk është puna, rëndësia ose kontributi i artistëve dhe punonjësve të kulturës, as statusi ose të ardhurat e tyre. Është e rëndësishme të bëhet një dallim i qartë: kontrolli kushtetues-gjyqësor i referohet aktit, jo punonjësve të kulturës”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.
Përndryshe, Gjykata nisi një procedurë për vlerësimin e Marrëveshjes Kolektive për Kulturën me një iniciativë të paraqitur nga avokati Tomisllav Stefkov dhe me iniciativën e saj nisi një procedurë për nenin 78- të Ligjit për Kulturën./TV21










