Deputeti i Vetëvendosjes, Ejup Ahmeti, i ka reaguar deputetit të LDK-së, Besian Mustafa, lidhur me deklaratat e fundit për Vjosa Osmanin.
Ahmeti theksoi se Vetëvendosje nuk është kundër Vjosës, duke kujtuar se pikërisht ajo ishte personi që, sipas tij, LDK e kishte sulmuar dhe nënçmuar më herët.
“Jo, Besian! Pikërisht ne s’jemi kundër Vjosës. Se bash Vjosa është ajo që ju e quajshit ‘notere e Albin Kurtit’. Bash ajo që e sulmuat, e nënçmuat dhe e përdorët sa herë ju konvenoi politikisht. Sot po e përmendni si zgjidhje, veç pse ju duhet alibi për bllokadën tuaj,” u shpreh Ahmeti.
Ai shtoi se, nëse LDK do ta kishte seriozisht këtë qëndrim, do t’i kishte dorëzuar me kohë nënshkrimet e nevojshme.
“Nëse e keni pasë seriozisht, i kishit sjellë nënshkrimet me kohë, me emra e mbiemra. Po ju nuk po i sillni!” përfundoi ai.










