Trendy

Kur mund të mbahen zgjedhjet e reja në Kosovë?

Para 3 orë

Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare pas dështimit të procesit për zgjedhjen e presidentit, në përputhje me afatet kushtetuese që parashohin mbajtjen e tyre brenda 45 ditësh.

Bazuar në llogaritjen e afateve ligjore, duke marrë si pikënisje datën 29 prill – kur kanë filluar të rrjedhin procedurat për zbatimin e vendimeve kushtetuese – zgjedhjet duhet të mbahen më së largu deri më 7 qershor.

Ndërkohë, gjatë ditëve në vijim pritet shpallja zyrtare e datës së zgjedhjeve nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, në rast se deputetët nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin brenda afateve të përcaktuara, Kuvendi shpërndahet automatikisht (“ex constitutione”), duke hapur rrugën për zgjedhje të reja.

“TË KONSTATOJË që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Trending