Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka bërë thirrje Iranit që të veprojë me zgjuarsi dhe të nënshkruajë një marrëveshje, pas disa ditësh bllokimi në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit dhe raportimeve se Uashingtoni mund të zgjasë bllokadën ndaj porteve iraniane.
Në një postim në Truth Social, Trump theksoi se Irani “nuk po arrin të organizohet”, duke shtuar se Teherani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe mund të kontaktojë SHBA-në nëse dëshiron bisedime.
Sipas The Wall Street Journal, zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se presidenti ka udhëzuar përgatitjen e një bllokade të zgjatur ndaj porteve iraniane, me synimin për të detyruar Teheranin të dorëzohet. Raporti thekson se Trump ka zgjedhur të vazhdojë presionin ndaj ekonomisë dhe eksporteve të naftës së Iranit, duke shmangur opsione më të rrezikshme si rifillimi i bombardimeve apo tërheqja nga konflikti.
“Ata nuk dinë si të nënshkruajnë një marrëveshje jo-bërthamore. Më mirë të veprojnë shpejt,” shkroi Trump, pa dhënë detaje mbi përmbajtjen e një marrëveshjeje të tillë.
Nga ana tjetër, Irani kërkon njohjen nga SHBA-ja të së drejtës për pasurimin e uraniumit për qëllime civile. Sipas të dhënave, vendi zotëron rreth 440 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60%, material që mund të përdoret për prodhimin e disa armëve bërthamore nëse pasurohet më tej.
Zyrtarët iranianë deklaruan se vendi mund ta përballojë bllokadën duke përdorur rrugë alternative tregtare dhe se lufta nuk konsiderohet e përfunduar. Konflikti ka shkaktuar mijëra viktima, ka tronditur tregjet energjetike dhe ka ndërprerë rrugët globale të tregtisë.
Propozimi më i fundit i Teheranit për zgjidhjen e luftës dy-mujore parashikon shtyrjen e diskutimeve për programin bërthamor deri pas përfundimit formal të konfliktit dhe zgjidhjes së çështjeve të transportit detar. Kjo qasje bie ndesh me kërkesën e Trump për të trajtuar çështjen bërthamore që në fillim të negociatave.
Ndërkohë, agjencitë amerikane të inteligjencës po analizojnë reagimin e mundshëm të Iranit nëse Trump shpall një fitore të njëanshme në konfliktin që ka nisur më 28 shkurt.
Teherani ka kufizuar ndjeshëm lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, një nyje kyçe për furnizimin global me energji, duke lejuar kryesisht vetëm anijet e veta. Nga ana tjetër, SHBA ka nisur bllokimin e anijeve iraniane.
Shpresat për një zgjidhje të shpejtë janë zbehur, sidomos pas anulimit të një vizite të të dërguarit amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Pakistan, që ndërmjetësonte bisedimet.
Situata në Iran është komplikuar më tej pas vrasjes së liderit suprem Ali Khamenei në ditën e parë të luftës dhe pasardhjes së tij nga i biri, Mojtaba. Kjo, sipas analistëve, ka rritur ndikimin e komandantëve më të ashpër të Gardës Revolucionare.
Trump përballet edhe me presion të brendshëm për t’i dhënë fund konfliktit, ndërsa një sondazh i Reuters/Ipsos tregon rënie të mbështetjes publike për të në 34%.










