Trendy

BDI braktisë seancën e Parlamentit, pasi që nuk arriti bllokimin për heqjen e Qeverisë teknike

Para 3 orë

Në lidhje me Ligjin për Qeverinë, koordinatorja e Rina Ajdari, deputete e BDI-së, kërkoi ndërprerjen e seancës së Kuvendit dhe që ky propozim-ligj të diskutohet shtesë edhe në Komitetin për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Nënkryetari i Kuvendit, pas disa ndërhyrjeve procedurale dhe sqarimeve, e hodhi në votim propozimin e Rina Ajdarit.

Nisma e BDI-së për ndërprerjen e seancës u refuzua me 65 vota KUNDËR dhe vetëm 14 vota PRO.

Pas këtij votimi, duke e cilësuar si majorizim, grupi parlamentar i BDI-së së bashku me deputetët Sali Murati dhe Halil Snopçe u larguan në mënyrë demonstrative nga seanca.

Është interesante që deputetët Ilire Dauti, Ziadin Sela dhe Elmi Aziri mbetën në seancë dhe morën pjesë në debatin për ligjin, shkruan portali maqedonas Express.

Edhe pse formalisht këta deputetë ende janë pjesë e koalicionit “Fronti Evropian”, ata nuk iu përgjigjën thirrjes së BDI-së dhe nuk e braktisën sallën e Kuvendit.

Kjo sjellje përputhet me paralajmërimet e Izet Mexhiti se dera e shumicës parlamentare është pjesërisht e hapur për partinë e Ziadin Selës.

Seanca ende po vazhdon dhe pritet që gjatë mbrëmjes deputetët të votojnë për propozim-ndryshimet në Ligjin për Qeverinë, ku propozohet shtyrja e shfuqizimit të qeverisë teknike, pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Deputetët e LSDM janë në sallë dhe po marrin pjesë në debatin për ligjin.

Trending