Ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, Bridget Brink, ka deklaruar se dha dorëheqjen për shkak të qëndrimit të presidentit Donald Trump ndaj Rusisë.
Ajo pretendoi gjithashtu se edhe pasardhësja e saj në detyrë, Julie Davis, po largohet për arsye të ngjashme.
Sipas Brink, vendimi për të folur publikisht lidhet me bindjen se politika amerikane nuk duhet të mbështesë liderë autoritarë. “Mbështetja ndaj diktatorëve nuk është ajo që përfaqësojmë”, u shpreh ajo.
Brink shërbeu si ambasadore në Kiev nga viti 2022 deri në 2025 dhe aktualisht është e angazhuar në një fushatë politike në SHBA.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka kundërshtuar këto pretendime, duke deklaruar se largimi i Davis lidhet me pensionimin e saj.









