Hezbollahu ka futur një taktikë të re në përballjen me forcat izraelite, duke përdorur dronë të drejtuar përmes fibrës optike që arrijnë të shmangin sistemet elektronike të mbrojtjes ajrore. Zhvillimi sinjalizon një fazë të re në konfliktin përgjatë kufirit me Libanin.
Këta dronë të vegjël janë të lidhur me operatorët përmes kabllove shumë të holla, çka i bën të imunizuar ndaj ndërhyrjeve elektronike që zakonisht përdoren për të neutralizuar dronët konvencionalë. Taktika pasqyron metoda të përdorura edhe në luftën në Ukrainë, ku sisteme të ngjashme kanë rezultuar të vështira për t’u ndalur.
Ekspertët theksojnë se këto pajisje mund të fluturojnë në lartësi shumë të ulëta dhe të afrohen pranë objektivave pa u zbuluar, duke përbërë një kërcënim serioz pavarësisht përmasave të tyre të vogla.
“Nëse përdoren siç duhet, janë jashtëzakonisht vdekjeprurës,” tha Robert Tollast nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara (RUSI) për agjencinë Associated Press.
Sipas raportimeve, Hezbollah i ka përdorur këta dronë kundër trupave izraelite në jug të Libanit dhe pranë kufirit, në zona ku raketat tradicionale dhe dronët më të mëdhenj janë interceptuar nga sistemet mbrojtëse izraelite.










