Trendy

Kallëzim penal ndaj gjashtë stomatologëve në Maqedoni – Policia financiare i akuzon për shpërdorim të detyrës

Para 3 orë

Drejtoria e Policisë Financiare në Maqedoninë e Veriut ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër M.D., në cilësinë e ish-kryetarit të Odës Stomatologjike të Maqedonisë, K.P. në cilësinë e kryetarit dhe L.E., K.Z., A.D. dhe G.Q.Ç. në cilësinë e anëtarëve të Komisionit për çështje profesionale stomatologjike, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare” nga neni 353 i Kodit Penal.

I dyshuari i parë, M.D., duke tejkaluar kufijtë e autorizimeve zyrtare të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë për lëshimin, rinovimin, vazhdimin dhe heqjen e licencave për punë të doktorëve të stomatologjisë, me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar, ka lidhur marrëveshje me shoqata joekzistuese për realizimin e formave të edukimit të vazhdueshëm profesional, përmes të cilave stomatologët fitonin pikë për rinovimin e licencave.

Njëkohësisht, i dyshuari i parë ka qenë themelues, nënshkrues i autorizuar i llogarive bankare dhe një nga drejtuesit faktikë të Shoqatës së Doktorëve të Mjekësisë Dentare të Maqedonisë – Kumanovë, përmes së cilës e ka anashkaluar sistemin, duke vepruar në kundërshtim me Rregulloren për edukim të vazhdueshëm profesional dhe Ligjin për mbrojtje shëndetësore.

Në koordinim me të dyshuarit e tjerë, janë lëshuar vendime dhe janë lidhur marrëveshje me qëllim realizimin e një numri më të madh ngjarjesh në vit sesa lejohet me rregullore, duke u mundësuar përfitim material Shoqatës së Doktorëve të Mjekësisë Dentare të Maqedonisë, Shoqatës Stomatologjike të Maqedonisë dhe Shoqatës Stomatologjike të Shqiptarëve, në llogaritë bankare të të cilave janë derdhur mjetet nga kuotizimet e stomatologëve për të gjitha ngjarjet e akredituara dhe të realizuara në mënyrë të paligjshme. Për këtë qëllim, shoqatat përkatëse qëllimisht nuk janë regjistruar si persona juridikë të veçantë.

Me veprimet e përshkruara kundërligjore, të dyshuarit kanë siguruar përfitim material për shoqatat DDDMM – Shoqata e Doktorëve të Mjekësisë Dentare të Maqedonisë, Shoqatën Stomatologjike të Maqedonisë dhe Shoqatën Stomatologjike të Shqiptarëve, në shumë totale prej 31.969.250,00 denarë.(INA)

Trending