Zëvendësministri i bujqësisë, Albrim Hoxha deklaroi nga foltorja e Parlamentit se programi IPARD po vazhdon normalisht dhe se fondet për bujqit janë të sigurta, pas një procesi të detajuar verifikimi që pasoi dyshimet për parregullsi.
Sipas tij, shqetësimet e ngritura në opinion publik lidhur me integritetin e procesit janë trajtuar me seriozitet të plotë institucional. Ai theksoi se, ndryshe nga praktikat e mëparshme, institucionet kanë reaguar menjëherë, duke mos mbrojtur asnjë individ dhe duke ndërmarrë kontrolle të gjera administrative dhe në terren. “Janë kontrolluar mbi 70% e aplikacioneve në kuadër të programit aktual IPARD, dhe është konstatuar se bëhet fjalë për një rast të izoluar, jo për problem sistemik”, deklaroi Hoxha.
Pas këtij procesi verifikimi, Komisioni Evropian ka dhënë miratimin për vazhdimin e programit. Një hap kyç në këtë drejtim ishte vendimi i 28 prillit 2026 nga Koordinatori Nacional për Autorizim (NAO), i cili shfuqizoi suspendimin e mëparshëm të pagesave.
Autoritetet bëjnë të ditur se: Pagesat për përfituesit me kontrata aktive kanë rifilluar pa vonesa. Procesi i lidhjes së kontratave të reja do të vazhdojë normalisht. Është vendosur një sistem i shtuar mbikëqyrjeje, me monitorim çdo dy muaj nga Komisioni Evropian.
Hoxha siguroi se janë forcuar mekanizmat e kontrollit për të garantuar që fondet të shkojnë vetëm te përfituesit legjitimë, duke rritur besueshmërinë e sistemit.
Ai u bëri thirrje bujqve që të vazhdojnë të aplikojnë dhe të investojnë, duke theksuar se programi IPARD mbetet një instrument kyç për modernizimin e bujqësisë dhe zhvillimin rural në vend. “Ky proces vetëm sa e ka forcuar sistemin dhe e ka bërë më të qëndrueshëm ndaj çdo tentative për keqpërdorim”, përfundoi ai.










