Trendy
Screenshot

“Ujin e paguajmë, ujë s’kemi”! Bujqit e Vrapçishtit i qajnë hallet te zëvendësministri i Bujqësisë

Para 3 orë

Kostot e mbjellave dhe të rritjes së kafshëve janë rritur ndjeshëm, ndërsa shërbimet që duhet të merren nga Drejtoria e Ujërave janë të pamjaftueshme ankohen bujqit e Pollogut.

Konkretisht, në komunën e Vrapçishtit, bujqit Gazmend Sejdiu dhe Nasir Abduli na treguan se edhe vonesat në mbështetjen financiare po e vështirësojnë punën e tyre.

“Ne kemi shumë brenga, nuk mund t’i qajmë të gjitha brengat tona brenda një dite. Së pari, pak na u vonuan subvencionet, por faleminderit që prapë na i dhanë, i falënderojmë. Tash kemi brenga të tjera; puna e çmimit, se çmimin e qengjit e kanë ulur. Kur e kam prodhuar, më ka kushtuar rreth 240 denarë, e tash qengji pas kësaj kohe është bërë 300 denarë. Pastaj, kemi brengë me subvencionet e lopëve, ato ende s’i kam marrë për vitin 2025, as për qumështin, as subvencionet e lopëve. Kemi halle të tjera me bujqësinë; plehrat i kemi marrë me çmim shumë të lartë, e ne po mundohemi t’i plotësojmë aq sa mundemi nevojat që kërkon fusha”, tha Gazmend Sejdiu, blegtor.

“Kam tokë rreth gjashtë hektarë. Tokën e ujit me sistemin e ujitjes, por ka nja tre-katër vjet që kemi probleme. Sistemi nuk e mban dot dimrit; kur vijnë ujërat e turbullta, bllokohet e s’punon. Ne bëjmë marrëveshje me ndërmarrjen, paratë e pagesave na i marrin, ndërsa ujin nuk na e japin në kohë. Vitin e kaluar, vetëm një herë e kam ujitur gjatë verës. Kisha mbjellë misër, që mbase duhej të bënte 5 deri në 10 traktorë, e unë bëra vetëm dy. Shpenzimet i bëra, çdo gjë është shtrenjtuar. Fara është 300 denarë për kilogram. Kur e shoh këtë, nuk më vjen më ta punoj atë tokë si bujk. Pa ujë kjo tokë nuk bën asgjë; duhet ujitur nja tre-katër herë që të bëhet misri”, tha Nasir Abduli, bujk.

Për t’i parë këto sfida nga afër, në terren doli zëvendësministri i Bujqësisë. Theksoi se institucionet janë të vetëdijshme për këto probleme dhe se qëllimi është krijimi i kushteve më të mira për fermerët, duke i konsideruar fermat e tyre si biznese jetike familjare që duhen mbajtur gjallë.

“Sot vizitojmë një fermer që punon me përkushtim, ashtu si shumë të tjerë në këtë zonë, për ruajtjen dhe mbajtjen gjallë të një dege shumë të rëndësishme të bujqësisë, siç është blegtoria, me theks të veçantë rritja e dhenve, e cila është edhe traditë dhe një degë shumë e rëndësishme bujqësore dhe ekonomike. Qëllimi gjithashtu është edhe për të promovuar punën e këtyre fermerëve, fermat e tyre të cilat, përveçse janë ferma bujqësore familjare, janë edhe biznese familjare, sepse që t’i biem shkurt, kanë edhe fitime pak më shumë se modeste. Si institucion, jemi të detyruar t’u krijojmë kushte sa më të mira dhe t’ua bëjmë jetën sa më të lehtë”, deklaroi Albrim Hoxha

Problemet me të cilat po ballafaqohen sot bujqit e Vrapçishtit nuk janë të reja. Ky rajon, i njohur tradicionalisht për prodhimtarinë e misrit dhe blegtorinë, vitet e fundit ka pësuar rënie të prodhimit për shkak të infrastrukturës së vjetruar të ujitjes që daton prej dekadash. Përderisa kostot e jetesës dhe çmimet e plehrave artificiale janë rritur me mbi 30%, çmimi i grumbullimit të produkteve vendase ka mbetur i ulët ose ka pësuar rënie. Kjo gjendje ka detyruar shumë të rinj të braktisin arat, duke e lënë fatin e bujqësisë së Pollogut në duart e pak fermerëve të mbetur, të cilët mbijetesën e shohin vetëm përmes mbështetjes direkte dhe të rregullt nga shteti.

Trending