Trendy

Gruevski lajmërohet nga Budapesti pas lajmit se po përgatiten dokumente për ekstradimin e tij

Para 2 orë

Ish-kryeministri i arratisur në Hungari, Nikola Gruevski, ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Drejtësisë, duke e akuzuar për qasje selektive dhe duke kërkuar hetim të plotë mbi rolin e ish-Prokurorisë Speciale Publike (SJO) dhe, sipas tij, ndjekjen politike gjatë qeverisjes së Zoran Zaev.

Në një reagim të gjatë, Gruevski i cili u arratis nga vendi duke fitu statusin e azilit politik në Hungari shkruan se ministri aktual nga radhët e ZNAM, Filkov duhet të tregojë të njëjtin zell në hetimin e, siç i quan ai, abuzimeve, proceseve të montuara gjyqësore dhe presioneve ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe dëshmitarëve në periudhën e kaluar.

LEXO letrën e plotë:

Sot dëgjova deklaratën e ministrit të Drejtësisë së Maqedonisë, i cili u shpjegonte mediave dhe opinionit publik se si me zell kishte mbledhur informacione nga gjykatat dhe si kishte pritur ndryshimet politike në Hungari për t’u informuar mbi statusin tim dhe për të nisur procedurë ekstradimi.

Duke e dëgjuar, shtrohet pyetja: kush është realisht në pushtet në Maqedoni? Nga jashtë duket sikur LSDM-ja e Zoran Zaevit, me metodat e saj të kontestuara, nuk është larguar asnjëherë nga pushteti.

I sugjeroj ministrit që me të njëjtin përkushtim të hetojë edhe keqpërdorimet dhe shkeljet ligjore gjatë periudhës së përndjekjeve politike në kohën e Zaevit, proceset e montuara gjyqësore dhe padrejtësitë që u bënë për të lehtësuar sundimin e tij.

Le të mbledhë informacione se si nga kabineti i atëhershëm dorëzoheshin lista me persona që duhej të ndiqeshin penalisht për t’u shpallur “kriminelë” dhe për t’u eliminuar nga politika, apo të tjerë që duhej të shantazhoheshin për të dëshmuar kundër të tjerëve.

Le të hetojë rastet e dëshmitarëve dhe të akuzuarve që, përmes presioneve dhe kërcënimeve të paligjshme, detyroheshin të jepnin deklarata të rreme.

Le të kërkojë dëshmi edhe nga avokatët mbrojtës, shumë prej të cilëve, për shkak të presioneve, u detyruan të tërhiqeshin, të heshtnin ose mbetën të shokuar nga ajo që ndodhte në sallat e gjyqit.
Le të analizojë aktakuzat, të ashtuquajturat “prova” dhe vendimet gjyqësore, për të parë se sa prej tyre janë ndërtuar mbi supozime të rreme dhe nën presion politik ndaj gjyqtarëve nga aparati i atëhershëm dhe Prokuroria Speciale.

Le të shqyrtojë rastet konkrete për të cilat jam dënuar: nga pretendimet për ndikim në blerjen e një veture të blinduar, deri te akuzat për prona dhe banesa, për të cilat nuk kam dhënë as para dhe as nuk kam kërkuar favore nga askush.

Le të shohë edhe rastin absurd ku jam dënuar për “dhunë” për shuplaka që askush nuk i ka dhënë, bazuar në dëshmi të dyshimta dhe me refuzim të dëgjimit të dëshmitarëve të mi.

Le të analizojë edhe rastet kur një ish-kryeministër ndiqet penalisht për arsye politike, siç është dëshira për të përfunduar më herët një autostradë për arsye elektorale.

Le të bëjë krahasim të financimit të partive dhe të vlerësojë nëse ka pasur trajtim të barabartë.
Në mënyrë diskrete, le t’i pyesë edhe gjyqtarët për presionet dhe ndërhyrjet politike në vendimet e tyre. Nuk është çudi që figura ndërkombëtare më quajnë “kriminel”, pasi ata bazohen në vendime gjyqësore pa njohur kontekstin e plotë dhe rrethanat politike në të cilat janë marrë.

Megjithatë, ministri i Drejtësisë ka mundësi dhe detyrim të njihet me këto detaje dhe t’i paraqesë ato kur komunikon me partnerët ndërkombëtarë.
Nëse dëshiron të veprojë me profesionalizëm dhe integritet, ai duhet të përballet me të vërtetën historike të asaj periudhe dhe të distancohet nga praktikat e dyshimta të së kaluarës. Në fund, nëse nuk dëshiron të bëhet pjesë e një loje të vjetër politike, ministri duhet të shqyrtojë të gjitha faktet dhe të veprojë në përputhje me ligjin dhe ndërgjegjen e tij.

Trending