Trendy

Ahmeti: Vepra e Goce Dellçevit, mësim edhe për klasën e sotme politike

Para 3 orë

Më 4 maj shënohet një nga datat më të rëndësishme historike për kujtesën kolektive në rajon – përvjetori i ndarjes nga jeta të revolucionarit Goce Dellçev, një figurë që vazhdon të mbetet simbol i përpjekjes për liri, emancipim dhe bashkëjetesë ndërmjet popujve.

Në një mesazh përkujtimor, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, thekson se jeta dhe vepra e Dellçevit duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për klasën e sotme politike, në një kohë kur sfidat kërkojnë vizion, maturi dhe përgjegjësi historike, ndërsa ka publikuar një foto të hershme të Goce Dellçevit me plis në kokë.

Statusi i plotë i Ali Ahmetit:

Si sot më katër maj të vitit 1903 është shuar Goce Dellçevi, revolucionar i njohur, jeta dhe vepra e të cilit do të duhej të ishte mësim edhe për klasën e sotme politike: “Unë e kuptoj botën si një garë të kulturuar mes popujve” – ishte deviza e tij.

Ndërkaq, biografi i tij më i mirë, Pejo Javorov, duke sjellë foton e mëposhtme të Goces, me plisin e bardhë, e jep këtë përshkrim:
“Plisi i bardhë arnaut me shall të zi, i mbështjellë përreth, e mbulonte jo aq shumë kokën. Palltoja e përhimtë prej shajaku, tyrqet e përhimta prej shajaku dhe çashiret me ngjyrë arre të përveshura deri në gjunjë në opingat e shtrënguara – i shquante format e drejta të një figure mesatare. Qepeja e përhimtë e mbyllur, e veshur vetëm në krahun e majtë, gjysmë e ngjeshur dhe e tërhequr deri në gjysmë në të djathtë, i jepte veçmas bukuri hyjnore gjithë shfaqjes së krenarisë. Me kamë, revolver dhe brezoren me fishekë në bel, me maliherin e hedhur mbi sup, Gocja i ngjante një perëndie kaçake”.

I përjetshëm kujtimi për Revolucionarin Goce Dellçev!

Trending