Tetova edhe në vitin 2025 mbetet një nga pikat më të rëndësishme ekonomike në pjesën perëndimore të vendit, qytet ku nën Sharr paralelisht zhvillohen industria automobilistike, ndërtimtaria, tregtia, prodhimi i materialeve ndërtimore, industria ushqimore dhe sektori i shërbimeve. Por shifrat më të fundit tregojnë se skena e biznesit në Tetovë nuk po ecën më me të njëjtin ritëm si një vit më parë, shkruan Pari.com.mk, përcjell tetova1
Tek kompanitë më të mëdha vërehet një sinjal i qartë i ngadalësimit të rritjes së të hyrave, veçanërisht tek disa firma ndërtimore dhe prodhuese. Megjithatë, fitimi është rritur, duke krijuar një pasqyrë tjetër: kompanitë mund të kenë më pak qarkullim, por një pjesë e tyre po punojnë më efikasisht dhe po arrijnë të sigurojnë fitime më të mëdha.
Analiza e “Pari”, në bashkëpunim me “Biznis Mrezha”, përfshin 10 kompanitë më të mëdha në Tetovë sipas të hyrave dhe fitimit. Në vitin 2025, dhjetë kompanitë me të ardhurat më të larta kanë realizuar gjithsej 225,71 milionë euro, që është 5,48 për qind më pak krahasuar me vitin 2024, kur të hyrat arrinin në 238,8 milionë euro. Nga ana tjetër, dhjetë kompanitë më fitimprurëse kanë realizuar 18,67 milionë euro fitim, për dallim nga 14,57 milionë euro një vit më parë, që paraqet rritje prej 28,1 për qind.
TË HYRAT E DHJETË KOMPANIVE JANË NË RËNIE
Në listën e të hyrave nuk ka dilemë se kush mbetet shtylla kryesore e ekonomisë tetovare.
LEAR CORPORATION MAQEDONI vazhdon të jetë bindshëm kompania më e madhe në qytet. Me të ardhura prej 121,2 milionë euro, ajo vetme gjeneron më shumë se gjysmën e të hyrave të gjithë listës “top 10”. Kompania është pjesë e industrisë automobilistike dhe merret me prodhimin e pjesëve dhe pajisjeve shtesë për automjete.
Megjithatë, edhe tek lideri vërehet rënie. LEAR në vitin 2024 kishte të ardhura prej 125,6 milionë euro, që nënkupton ulje prej 3,57 për qind.
Vendin e dytë e mban POFIX, kompani tetovare e njohur për suvatë izoluese dhe dekorative, si dhe materialet ndërtimore. Në vitin 2025 kompania realizoi 21,4 milionë euro të ardhura, krahasuar me 24,6 milionë euro në vitin 2024, që paraqet rënie prej 14,14 për qind.
E treta është ARBORA, me të ardhura prej 13,01 milionë euro, që është rënie prej 10,15 për qind krahasuar me 14,4 milionë euro një vit më parë. Kështu, tri kompanitë e para në listë kanë shënuar ulje të të hyrave, gjë që në masë të madhe shpjegon minusin e përgjithshëm të “dhjetëshes” tetovare.
Rritjen më të madhe e ka shënuar TEKNOMETAL S.R.L, i cili nga 5,5 milionë euro në vitin 2024 ka arritur në 11,8 milionë euro në vitin 2025. Kjo paraqet rritje prej plot 114,55 për qind, duke e renditur kompaninë si fituesin më të madh për nga rritja e të ardhurave mes firmave kryesore tetovare.
Rritje stabile ka edhe SANMARTI, e cila ka arritur 12,1 milionë euro të ardhura, ose 8,98 për qind më shumë se një vit më parë. SANMARTI merret me shitjen e pajisjeve për banjo, sanitari, pllaka, ujësjellës dhe materiale për punime përfundimtare në ndërtimtari.
Pozitivisht kanë lëvizur edhe SENTIS AG dhe BONITAS FRUIT.
Rënien më të madhe e ka shënuar AK INVEST, një nga kompanitë e njohura ndërtimore në Tetovë. Të ardhurat e saj kanë rënë nga 20,1 milionë euro në 10,2 milionë euro, ose për 49,03 për qind. AK INVEST operon në sektorin e ndërtimit dhe merret me ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore.
Rënie ka edhe tek EAKOM, po ashtu kompani ndërtimore, të cilës të ardhurat i janë ulur nga 13,6 milionë euro në 10,4 milionë euro, respektivisht për 23,97 për qind.
Burimi: Biznis Mrezha
FITIMI TOTAL U RRIT ME 28 PËR QIND
Edhe pse të hyrat e 10 kompanive më të mëdha janë zvogëluar, fitimi i dhjetë kompanive më fitimprurëse është rritur nga 14,57 milionë euro në 18,67 milionë euro. Kjo paraqet rritje prej 28,1 për qind.
Në krye renditet LEAR CORPORATION MAQEDONI, me fitim prej 5,1 milionë euro.
Vendin e dytë e zë PALMA TRADE Lumial, me fitim prej 3,4 milionë euro. Kjo kompani ka pothuajse dyfishuar fitimin krahasuar me vitin e kaluar, kur ai arrinte në 1,7 milionë euro. Rritja është 94,93 për qind, duke e renditur ndër fituesit më të mëdhenj në analizën tetovare.
E treta është POFIX, me 2,5 milionë euro fitim. Por, ndryshe nga lista e të hyrave ku rënia ishte 14 për qind, tek fitimi rënia është shumë më e thellë – 36,29 për qind. Në vitin 2024, POFIX kishte 3,9 milionë euro fitim, çka do të thotë se kompania mbetet shumë fitimprurëse, por me fitim më të ulët.
Pas saj vjen BANANA KICK, me 1,3 milionë euro fitim dhe rritje prej 8,74 për qind. Më pas renditet IZO STONE, me 1,2 milionë euro, por me rënie prej 13,20 për qind. SANMARTI ka realizuar 1,1 milionë euro fitim, pothuajse njësoj si një vit më parë, me një rritje minimale prej 0,39 për qind.
Në listë ndodhet edhe TETEKS, përkatësisht Kombinati i Leshit “Todor Cipovski-Merxhan”, me fitim prej 1,07 milionë euro. Kjo kompani ka shënuar rënie prej 4,33 për qind, por vazhdon të mbetet ndër dhjetë firmat më fitimprurëse në qytet.
Rritje të mirë ka shënuar edhe SHATCI, me fitim prej 1,05 milionë euro, që është rritje prej 21,20 për qind. Në anën tjetër, INVEST dhe ARBERIA-DESIGN kanë shënuar rënie serioze. Fitimi i INVEST ka rënë nga 1,7 milionë euro në 1,04 milionë euro, ose për 38,86 për qind, ndërsa fitimi i ARBERIA-DESIGN ka rënë nga 1,6 milionë euro në 915,7 mijë euro, respektivisht për 43,55 për qind./tetova1.mk













