Xhoela Bame, një studiuese e re shqiptare nga Korça, është përfshirë nga revista prestigjioze Forbes në listën “30 Under 30”, që vlerëson individët me ndikim të jashtëzakonshëm në nivel global në fusha të ndryshme, përfshirë shkencën dhe mjekësinë.
Prej disa vitesh, Bame jeton dhe punon mes Shteteve të Bashkuara dhe Anglisë, ku është angazhuar në kërkime shkencore mbi rigjenerimin e trurit dhe mekanizmat që ndikojnë në plakjen e tij.
Ajo ka qenë pjesë e projekteve kërkimore që synojnë të kuptojnë më mirë proceset biologjike të degjenerimit nervor dhe mënyrat për ndërhyrje terapeutike.
“Forbes përzgjedh 30 talentet më të spikatura. Përfshirja ime ishte në fushën e shkencës dhe mjekësisë, për punën kërkimore mbi rigjenerimin e trurit, mekanizmat që çojnë në plakjen e tij dhe trajtimet për ta rigjeneruar atë”, është shprehur Bame.






