Një degë banke në zonën e Kato Tithorea, në rajonin e Fthiotidës në Greqi, u bë objekt i një grabitjeje të armatosur mëngjesin e së hënës, në një operacion që mediat greke e përshkruajnë si profesional dhe të organizuar me kujdes.
Sipas LamiaNow.gr, tre grabitës të armatosur hynë në bankë pak pas orës 10:00 të mëngjesit. Në momentin e sulmit, brenda ndodheshin tre persona.
Njëri prej autorëve, i veshur elegant, kërcënoi punonjësit me armë zjarri, ndërsa një tjetër, i pajisur me armatim të rëndë, zbriti në zonën e kasafortës së bankës, raportoi LamiaReport.gr.
Sipas vlerësimeve të para, grabitësit arritën të marrin rreth 200 mijë euro. Teksa dilnin nga banka, një pjesë e parave u ranë në tokë dhe ata u ndalën për t’i mbledhur përpara se të largoheshin me shpejtësi me një automjet ngjyrë argjendi, të drejtuar nga një bashkëpunëtor i katërt.
Sipas informacioneve të mediave greke, autorët u larguan në drejtim të Velicës së Parnasit.
Operacioni policor është ende në zhvillim, ndërsa forca të shumta policie janë dislokuar në zonën përreth duke kryer kontrolle dhe kërkime për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Policia greke njoftoi se gjatë orëve të pasdites janë shoqëruar tetë persona, gjashtë burra dhe dy gra, të cilët po merren në pyetje për përfshirje të mundshme jo vetëm në grabitjen e sotme, por edhe në raste të tjera grabitjesh.
Sipas autoriteteve, deri tani gjatë hetimeve është zbuluar armatim i rëndë.
Mediat greke raportojnë se grupi veproi me qetësi të plotë dhe kishte organizim profesional. Autorët ishin të armatosur me kallashnikov, armë automatike “Uzi” dhe pistoleta.
Njëri prej tyre mbante një shkop dhe shtirej sikur çalonte për të mos tërhequr dyshime. Dy prej grabitësve kishin vendosur paruke, shalle dhe kapele për të fshehur tiparet e fytyrës dhe komunikonin mes tyre me radio.
Megjithatë, gjatë largimit ata lanë pas disa kartëmonedha dhe një telefon celular. Sipas raportimeve, autorët arritën të merrnin telefonin, por jo të gjitha paratë që kishin rënë në tokë.
Pak orë më vonë, automjeti i përdorur në grabitje u gjet në zonën e Agia Marinës në Fthiotidë, në drejtim të fshatit Zemeno, rreth 50 kilometra larg bankës ku ndodhi sulmi i armatosur.
Policia po analizon pamjet e kamerave të sigurisë dhe dyshon se grabitësit ose kishin një bashkëpunëtor tjetër që i priste, ose kishin lënë aty një automjet të dytë për arratisje.










