Disa qytete në Gjermani po vendosin kontrolle më të rrepta për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të ndihmës sociale që lidhet me migrantë nga Bullgaria dhe Rumania, raportoi televizioni gjerman ARD.
Sipas reportazhit, grupe kriminale dyshohet se u japin me qira banesa dhe strehime me kushte shumë të këqija migrantëve nga këto dy vende, duke u kërkuar qira të larta, të cilat pjesërisht mbulohen nga sistemi gjerman i ndihmës sociale.
Në Hagen, qytet me rreth 200 mijë banorë, jetojnë afërsisht 7 mijë shtetas nga Bullgaria dhe Rumania. Sipas autoriteteve lokale, më shumë se gjysma e tyre përdorin përfitime sociale, përfshirë mbulimin e shpenzimeve të banimit, gjë që komunës i kushton mes 10 dhe 15 milionë euro në vit.
ARD thekson se qytetarët e Bashkimi Evropian mund të fitojnë të drejtën për ndihmë sociale edhe me një angazhim minimal pune prej vetëm disa orësh në javë. Edhe pse institucionet gjermane kanë mundësi t’ua heqin të drejtën e qëndrimit dhe të punës, e bashkë me të edhe përfitimet sociale, masa të tilla zbatohen rrallë.
Në Gelsenkirchen, autoritetet kanë refuzuar kërkesat për ndihmë sociale të rreth 500 personave nga Bullgaria dhe Rumania, që përbën çdo aplikantin e dhjetë. Institucionet lokale kanë vendosur kontrolle më të rrepta dhe kërkojnë që punëtorët nga BE-ja të sigurojnë vetë të paktën një të tretën e mjeteve për jetesë.
Në Duisburg, sipas të dhënave të ARD, jetojnë rreth 26 mijë qytetarë nga Bullgaria dhe Rumania, ndërsa 11 mijë prej tyre marrin ndihmë përmes Zyrës lokale të Punësimit.










