“Ardhja e sezonin të pranverës ka sjellë shumë telashe si për pjesëmarrësit në komunikacion, po ashtu edhe për Sektorin e Punëve të Brendshme. Fjala është për vozitësit e trotineteve të cilët nuk respektojnë aspak rregullat. Nuk mbajnë kokoret, nuk mbajnë jelekët dhe nuk lëvizin në trotuar apo në vijën ku është e caktuar për biçikletat”.
Gjatë vitit të kaluar, janë aksidentuar rreth 40 vozitës të trotineteve, shumica e të cilëve, kanë përfunduar me lëndime të rënda trupore.
“Në vitin 2025 në rajonin që mbulon SPB Tetovë kanë ndodhur gjithsej 37 aksidente trafiku ku kanë qenë të përfshirë trotinetet elektrik, dhe drejtuesit e tyre kanë pësuar lëndime të ndryshme trupore si lëndime të rënda dhe lëndime trupore, me çka në rajonin e Tetovës janë shkaktuar 14 aksidente ndërsa 23 në rajonin e Gostivari”, deklaroi Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i SPB Tetovë
Trendi i njëjtë vazhdon edhe këtë vit, thotë Rexhepi. Nga janari e deri më sot, janë regjistruar 9 aksidente. Sipas Rexhepit, lëvizja e trotineteve është e përcaktuar me Ligj.
“Sipas Ligjit, trotinetet duhet të lëvizin vetëm në korsi të posaçme për biçikleta, e në mungesë të korsisë së biçikletave duhet të lëvizin nëpër trotuare, por me shpejtësi të lëvizjes së njerëzve pra maksimum 6 kilometër në orë”, tha Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.,
Sipas Ligjit për Siguri në Trafikun Rrugor, të drejtë për të drejtuar trotinet elektrik kanë personat që kanë mbushur 14 vjet, me kusht që të mbajnë pajisje mbrojtëse, ndërsa gjatë natës edhe jelek fluoreshent, në të kundër drejtuesi i trotinetit dënohet me 50 euro drejtuesi. Në rast se vozitësi është nën 14 vjet, atëherë dënohet edhe prindi me 300 euro. /Alsat.mk.









