Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, deklaroi të martën se prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) po kërkon një urdhër-arrest ndaj tij, në atë që ai e cilësoi si “një shpallje lufte”.
Gjatë një fjalimi nga zyra e tij në Jerusalem, politikani i ekstremit të djathtë nuk sqaroi zyrtarisht arsyet e mundshme të kërkesës, por la të kuptohet se ajo lidhet me zgjerimin masiv të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, një politikë që ai e ka mbështetur fuqishëm.
Në muajin prill, Izraeli miratoi në mënyrë të fshehtë më shumë se 30 vendbanime dhe ferma të reja kolonësh, në kuadër të një strategjie më të gjerë për forcimin e kontrollit izraelit mbi territorin palestinez dhe për të pamundësuar krijimin e një shteti palestinez.
Në një reagim për CNN, ICC deklaroi se nuk mund të komentojë mbi kërkesat për urdhër-arreste, pasi procedurat e tilla janë konfidenciale deri në vendimin e gjyqtarëve. Sipas procedurës së gjykatës, prokurori fillimisht paraqet kërkesën për urdhër-arrest dhe më pas gjyqtarët vendosin nëse ajo do të miratohet.
Në deklaratën e tij, Smotrich e përshkroi zgjerimin e vendbanimeve si një “revolucion” në atë që ai e quajti Judea dhe Samaria, termin biblik që përdoret nga nacionalistët izraelitë për Bregun Perëndimor.
Ai tha se gjatë mandatit të qeverisë aktuale janë miratuar më shumë se 100 vendbanime të reja dhe përsëriti se objektivi i tij është eliminimi i çdo mundësie për krijimin e një shteti palestinez.
“Po planifikojmë, po ndërtojmë, po shtrojmë rrugë dhe po e bëjmë të pakthyeshëm projektin e vendbanimeve”, deklaroi ai.
Smotrich paralajmëroi gjithashtu se Izraeli do të evakuojë “menjëherë” komunitetin beduin Khan al-Ahmar, në lindje të Jerusalemit, si përgjigje ndaj lëvizjes së prokurorit të ICC-së. Zona prej vitesh ka qenë në shënjestër të forcave të djathta izraelite.
Pa paraqitur prova, ministri izraelit akuzoi Autoritetin Palestinez se qëndron pas veprimeve të ICC-së. CNN raportoi se ka kërkuar koment edhe nga pala palestineze.
Deklaratat e Smotrich vijnë në një kohë tensionesh të larta ndërkombëtare lidhur me luftën në Gaza, zgjerimin e vendbanimeve izraelite dhe presionin në rritje ndaj Izraelit në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë.





