Trendy

“Kjo ishte pengmarrje shtetërore”, reagimi i ashpër i Gazmend Bardhit për keqtrajtimin e studentëve nga policia dhe dogana e Maqedonisë

Para 3 orë

Deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Gazmend Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj ndalimit dhe trajtimit të rreth 40 të rinjve shqiptarë nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, të cilët po udhëtonin drejt Shkupit për të mbështetur protestat në mbrojtje të gjuhës shqipe, shkruan gazeta KOHA.

Në një reagim publik, Bardhi e cilësoi ngjarjen si një akt arbitrar dhe çnjerëzor, duke akuzuar institucionet maqedonase për shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë.
“Dënoj me forcë ndalimin arbitrar dhe trajtimin çnjerëzor që policia e Maqedonisë së Veriut u bëri rreth 40 të rinjve shqiptarë, të cilët për afro nëntë orë u mbajtën praktikisht peng në pikat kufitare, pa asnjë akuzë, pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë të drejtë minimale njerëzore. Kjo është e papranueshme në një shtet që pretendon se respekton standardet demokratike dhe të drejtat e njeriut”, ka deklaruar Bardhi.

Ai ka theksuar se është veçanërisht shqetësues fakti që të rinjtë shqiptarë janë trajtuar si të dyshuar apo kriminelë vetëm për shkak të qëllimit të udhëtimit të tyre.

“Është skandaloze që studentë shqiptarë, shumica vetëm 18 deri në 20 vjeç dhe shumë prej tyre vajza, të trajtohen si kriminelë vetëm sepse po udhëtonin për të mbështetur protestat në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Këta të rinj nuk po kërkonin privilegje, nuk po cenonin rendin publik dhe nuk po kryenin asnjë shkelje ligjore. Ata po ushtronin të drejtën e tyre demokratike për solidaritet dhe mbështetje ndaj një kauze që lidhet me gjuhën dhe identitetin e tyre. Për këtë arsye ata meritojnë respekt dhe mirënjohje, jo ndalim, frikësim dhe poshtërim”, ka theksuar deputeti shqiptar.

Bardhi ka ngritur akuza të forta edhe ndaj institucioneve shqiptare, duke shprehur habi për mungesën e reagimit zyrtar nga Tirana.

“Po aq skandaloze është heshtja e Tiranës zyrtare. Asnjë reagim nga Qeveria Shqiptare. Asnjë reagim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Asnjë përpjekje për të mbrojtur qytetarët shqiptarë që u poshtëruan dhe u keqtrajtuan për orë të tëra. Kjo heshtje është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për të drejtat e qytetarëve shqiptarë jashtë kufijve të Shqipërisë”, ka deklaruar ai.

Sipas Bardhit, autoritetet shqiptare kanë qenë të informuara për lëvizjet dhe trajtimin e grupit të studentëve, por nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim publik.

“Institucionet shqiptare janë vënë në dijeni se policia e Maqedonisë së Veriut i ka lëvizur këta të rinj nga kufiri me Shqipërinë deri në Kumanovë dhe pranë kufirit me Serbinë, pa asnjë shpjegim të arsyeshëm dhe pa asnjë procedurë normale. Përballë një situate të tillë, reagimi i shtetit shqiptar duhej të ishte i menjëhershëm dhe i qartë. Në vend të kësaj kemi parë heshtje, indiferencë dhe mungesë totale përgjegjësie”, është shprehur ai.

Deputeti demokrat ka përdorur tone të ashpra edhe në vlerësimin e veprimeve të autoriteteve maqedonase.

“Ky nuk është kontroll kufitar. Ky nuk është zbatim i procedurave standarde. Kjo është pengmarrje shtetërore. Kur qytetarë të rinj mbahen për orë të tëra pa akuzë, pa transparencë dhe pa respektimin e të drejtave të tyre themelore, atëherë kemi të bëjmë me një akt që nuk mund të justifikohet me asnjë argument administrativ apo sigurie”, ka deklaruar Bardhi.

Ai ka kritikuar gjithashtu kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke e akuzuar për mungesë reagimi në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë.

“Kur bëhet fjalë për propagandë boshe mbi stabilitetin rajonal, për samite ndërkombëtare, për fotografi dhe deklarata pompoze para kamerave, qeveria shqiptare është gjithmonë e pranishme. Por kur policia e një shteti fqinj ndalon për orë të tëra të rinj shqiptarë dhe i trajton si kriminelë vetëm pse mbështesin protestat për gjuhën shqipe dhe identitetin kombëtar, atëherë Edi Rama dhe qeveria e tij zhduken. Nuk ka deklarata, nuk ka nota proteste dhe nuk ka asnjë mbështetje për qytetarët shqiptarë”, ka thënë Bardhi.

Në fund të reagimit të tij, deputeti i opozitës shqiptare e ka cilësuar heshtjen e institucioneve shqiptare si një dështim serioz politik dhe diplomatik.

“Asnjë shtet serioz nuk i lë qytetarët e vet pa mbrojtje kur përballen me trajtime të tilla. Ajo që kemi parë në këtë rast nuk është diplomaci e matur, por kapitullim dhe braktisje e turpshme e qytetarëve shqiptarë. Detyra e shtetit është të mbrojë qytetarët e vet kudo që ndodhen, jo të heshtë përballë padrejtësive që u bëhen atyre”, ka përfunduar Bardhi. (koha.mk)

Trending